Politike 8 Gusht 2023, 16:30

Kanabisi në repartin e Zall Herrit, Bardhi: Peleshi të japë dorëheqjen, e ka ditur që mbillej drogë

Shkruar nga Pamfleti

Kanabisi në repartin e Zall Herrit, Bardhi: Peleshi të japë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkon që ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi të japë dorëheqjen, pas skandalit në repartin ushtarak të Zall Herrit, ku u zbulua parcela me kanabis.

Ai shprehet se ministri ka qenë në dijeni të kësaj ngjarjeje dhe se në këtë rast përgjegjësia është personale.

“Sot është dita që Niko Peleshi të japë dorëheqjen, sepse ai e dinte që në repartet ushtarake mbillej drogë. Ia thamë ne në parlament, siç thamë disa vite më parë se nga repartet ushtarake ngriheshin avionë që transportonin drogë. Edhe atëherë rezultoi e vërtetë! Zoti Ministër i Mbrojtjes, përgjegjësia është personale e juaja! Jep dorëheqjen!”, tha Bardhi.

“Një vit më parë, në parlament u diskutuan disa ndryshime në ligjin për Policinë Ushtarake. Ishin ditët, kur autoritetet holandeze zbuluan përfshirjen e një majori të ushtrisë shqiptare në ndërtimin e një shtëpie hashashi në Holandë, ndërkohë që ishte aty me mision në kuadër të NATO-s.

Në fjalën time në Komisionin e Ligjeve, e përmenda këtë rast për të kuptuar si i kishin kryer detyrat Policia Ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë, pasi ky nuk ishte një rast i izoluar. Nuk prisja të merrja përgjigje as nga përfaqësuesi i ushtrisë, as nga përfaqësuesja e qeverisë. Ata ekzistojnë vetëm për të mbuluar gjurmët e krimit të organizuar që ka depërtuar tani edhe në ushtrinë e vendit anëtar të NATO-s. E di që kjo është një akuzë e rëndë, por faktet janë kokëforta.

Një vit më parë, kam deklaruar me zë të lartë se rasti i oficerit të lartë shqiptar në Holandë nuk është i izoluar, pasi në repartet ushtarake mbillet kanabis për llogari të organizatave kriminale . Deputetët e dëgjuan. Qeveria e dëgjoi. Ushtria e dëgjoi. Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e dëgjoi. Cili ishte reagimi? Zero! U fshehën pas frazës së preferuar të kryeministrit “përgjegjësia është personale”. Që në fakt, është një thirrje nxitëse “bravo çuna, jepini derisa t’ju kapin”!

Dita erdhi që t’i kapin, sërish, partnerët e NATO-s, se po të ishte për Edi Ramën apo Niko Peleshin, kanabisi do të mbillej edhe në tarracën e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kryeministrisë. Sot është dita që Niko Peleshi të japë dorëheqjen, sepse ai e dinte që në repartet ushtarake mbillej drogë. Ia thamë ne në parlament, siç thamë disa vite më parë se nga repartet ushtarake ngriheshin avionë që transportonin drogë. Edhe atëherë rezultoi e vërtetë! Zoti Ministër i Mbrojtjes, përgjegjësia është personale e juaja! Jep dorëheqjen!”, shkruan Bardhi në Facebook.

bardhi niko peleshi repart ushtarak zall herr