TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Maj 2025, 16:36

Kaos me votat e Greqisë, PD nuk pranon vendimet e KQZ: Të provohet që zarfet janë marrë direkt nga zgjedhësit

Shkruar nga Pamfleti

Kaos me votat e Greqisë, PD nuk pranon vendimet e KQZ: Të provohet

Procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora është futur në një spirale tensioni të ri, këtë herë për shkak të zarfeve të ardhur nga Greqia, të cilat kanë sjellë përplasje të hapura mes institucioneve dhe partive politike.

Fillimisht, procesi i numërimit në Parkun Olimpik u bllokua pas kontestimeve të forta nga opozita, për mënyrën si ishin administruar dhe mbërritur zarfet nga Greqia. Komisionerët e opozitës refuzuan të merrnin pjesë në numërim, duke pretenduar se procesi kishte devijuar nga ligji dhe kontratat zyrtare.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vendosi që votat e Greqisë të ndaheshin në një kuti të veçantë dhe të mos ndërprisnin procesin e përgjithshëm të numërimit. Ky vendim lejoi rifillimin e punës për pjesën tjetër të zarfeve të diasporës, por u cilësua nga PS si “absolutisht i pavlefshëm” dhe në “kundërshtim me ligjin”.

Pas ankimimit të Partisë Socialiste, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) e rrëzoi vendimin e Celibashit, duke e shpallur të pavlefshëm dhe duke rrezikuar sërish bllokimin e procesit.

Në një deklaratë për media, Marash Logu, avokat i koalicionit opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, akuzoi se vendimi i Celibashit ishte vetëm një zgjidhje procedurale, pa adresuar thelbin e ankesave, që lidhen me mënyrën e ardhjes dhe verifikimit të zarfave nga Greqia.

Sipas tij, ka dy shkelje madhore:

Thyerja e kontratës nga DHL – ku pretendon se operatori postar ka përdorur nënkontraktorë për shpërndarjen dhe mbledhjen e zarfeve, ndonëse kontrata ndalon qartë këtë praktikë.

Anomali në ritmin e ardhjes së zarfave – ku mes 17 prillit dhe 4 majit u sollën vetëm 17 mijë zarfe, ndërsa pas kësaj date u shënuan flukse të pazakonta deri në 36 mijë zarfe në vetëm 6 ditë. Logu e lidhi këtë me një “mish-mash” të shpallur edhe nga vetë kryeministri Edi Rama në një deklaratë në Gjirokastër më 4 maj.

Për më tepër, ai pretendoi se drejtues politikë të PS-së kanë shkuar fizikisht në qendra të DHL-së në Greqi, për të marrë në mënyrë të paautorizuar zarfat e qytetarëve shqiptarë, për t’i plotësuar dhe dërguar në Shqipëri, gjë që për opozitën përbën manipulim të rëndë zgjedhor.

Lini një Përgjigje