
KAS ka vendosur hapjen e kutive në 2 KZAZ në Durrës.
KAS vendosi hapjen e 60 kutive për votat preferenciale me kërkesë të kandidatit në listë të hapur, të radhëve të Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Partisë Demokratike (ASHM), Aulon Kalasë.
Po ashtu po me kërkesë të dy anëtarëve, rihapen kutitë edhe për KZAZ 21-22 dhe 126 qendra votimi. Po për qarkun Durrës, dy anëtarë të KAS vendosën që të hapen edhe kutitë e votave nga diaspora sipas kërkesës së PD-ASHM.
Kandidati demokrat Aulon Kalaja iu bashkua kërkesës për të shpallur të pavlefshme qarkun e Durrësit.
Sot u mbajt seanca për shqyrtimin e kërkesës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve. Kalaja pretendon se i janë vjedhur votat nga brenda PD-së dhe i janë dërguar në favor të kandidatit tjetër, Arjan Ndoja, që fitoi.
Ndërsa depozitoi provat, ai u shpreh se bazuar në filmimet e pamjeve nga KQZ ka devijim votash jo vetëm ndaj tij, por edhe të 13 kandidatëve të tjerë.
Përfaqësuesi ligjor i Kalasë tha se në shumicën e rasteve votat i ishin shtuar kandidatit fitues të listës së hapur ish-prokurorit, Arjan Ndoja.
“Në ekran shfaqen 31 vota për kandidatin Arjan Ndoja dhe në procesverbal na rezultojnë 37 vota. Ka raste edhe kur u janë hequr e shtuar kandidatëve të tjerë. I kemi me minuta dhe kohë në 69 kuti që kemi verifikuar deri tani. Në KZAZ nr. 21, qv 1361, tavolina 1, kemi konstatuar nga leximi që i është bërë tabela nuk përputhet me proces-verbalin, ka lëvizur vota, 4 fletë votimi për Aulon Kalanë, në procesverbal janë pasqyruar 2 vota, për kandidatin Hoxha 3 vota nga leximi në pamje, në proces-verbal 2 vota, për kandidatin Ndoja në ekran 20 vota, në tabelë, proces verbal 25 vota. Kandidatit Ndoja i shtohen vota dhe në një qendër tjetër, nga 12 në ekran, në proces-verbal 15 vota”, tha përfaqësuesi i Kalasë.
Kalaja kërkoi gjithashtu jo vetëm hapjen e 69 kutive për të cilat dorëzuan prova, por për mbi 500 kutitë në qarkun e Durrësit.
“Kam qenë i pari kandidat që kam ardhur dhe kam bërë ankimim, sepse e kam parë çfarë po bëhej në KQZ, pamjet më janë vënë në dispozicion me kaq vonesë, e kam bërë jo për mandat, por për transparencë, e kam bërë për t’u vendosur si gur themeli për kandidatët e tjerë, janë vota që më janë shpallur të pavlefshme, janë rritur në mënyrë artificiale votat për një kandidat, dhe i janë marrë vota edhe kandidatëve të tjerë. Nuk ju bën përshtypje?”, u shpreh Kalaja.
Sipas kësaj vendimmarrje, do të hapen 60% të kutive të qarkut Durrës për votat brenda vendit dhe do të rinumërohen 100% të fletëve të votimit të ardhura nga jashtë vendit. Më parë, KAS ka vendosur të hapë kutitë e votimit të Tiranës dhe Fierit.
Lini një Përgjigje