SPAK kërkon izolimin e zv.Kryeministres së pezulluar nga detyra, ndërsa demokratët kanë dhënë miratimin. Tashmë pritet qëndrimi i socialistëve, ndërsa momenti final vendoset nga votimi në Kuvend...
Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do të duhet të paraqesë në seancën plenare të 5 marsit një qëndrim lidhur me kërkesën e SPAK sa i takon zv.Kryeministres së pezulluar, Belinda Balluku.
Për këtë të fundit, Prokuroria Speciale kërkon një autorizim nga Kuvendi për arrestin, në kuadër të ashpërsimit të masave të sigurisë, edhe pse në fuqi ka mbetur ‘pezullimi nga funksionet qeveritare’, vendim i dhënë nga GJKKO-ja, ndërsa Gjykata Kushtetuese u nda ‘4 me 4’ pa arritur të krijojë një shumicë vendimmarrëse lidhur me ankimin e Kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit u angazhua në proces duke cilësuar pezullimin nga detyra të Ballukut nga GJKKO si jo kushtetues, madje ndërmori edhe një seri sulmesh ndaj SPAK dhe gjykatës, duke e konsideruar si një ndërhyrje të një pushteti në ‘territorin’ e një tjetër pushteti.
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, treshja e prokurorëve të SPAK ka insistuar që Kuvendi të miratojë autorizimin, madje si për të bindur deputetët, deklaruan se Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burgim, nëse i provohen akuzat.
Opozita e përfaqësuar me 5 deputetë në Këshillin e Mandateve, deklaroi menjëherë qëndrimin e saj pro kërkesës së SPAK, edhe pse ky institucion anatemohet nga demokratët nga momenti kur Sali Berisha u mor i pandehur dhe u vendos në masë sigurie “arrest me burg” në kuadrin e dosjes ‘Partizani’ për të cilën akuzohet bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Demokratët e Berishës në një draft të paraqitur në Këshillin e Mandateve i kërkonin Kuvendit të miratojë autorizimin për SPAK, qëndrim ky që tregon se në seancën e 5 marsit ata do të votojnë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, së pezulluar nga funksionet.
Në anën tjetër, socialistët pritet të vendosin të mbledhjen e Grupit Parlamentar që do të mbahet të enjten në Pallatin e Brigadave. Mbledhja do të drejtohet nga Kryeministri, njëherazi edhe kreu i PS-së, Edi Rama.
Grupit të deputetëve të PS-së pritet tu shpërndahet një raport, që shpreh qëndrimin e 5 ligjvënësve socialistë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, që me shumë gjasa, sipas raportimeve të deritanishme, do të jetë kundër dhënies së autorizimit për arrestimin e Ballukut.
Raporti i socialistëve do të mbajë firmën e Ulsi Manjës, kreut të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ndërsa në të do të renditen të gjitha arsyet që shtyjnë socialistët në qëndrimin që do të mbajnë në seancën e të enjtes së parë të marsit.
Masa e pezullimit nga detyra, tashmë konsiderohet nga socialistët si e ezauruar dhe pavarësisht kërkesës së SPAK për ashpërsimin e kësaj mase, ky qëndrim i Prokurorisë Speciale, konsiderohet i pavend, përsa kohë Belinda Balluku ka respektuar masën e parë. Kjo e theksua edhe gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, jo vetëm nga deputetë të PS-së, por edhe avokatët e Belinda Ballukut.
Prokuroria e Posaçme u shpreh se masa e arrestit është e nevojshme duke thënë “ne kemi nevojë që ajo të jetë e izoluar, pa mundësi për të komunikuar me të tjerët, sepse nëse është jashtë, dhe mban komunikime me vartësit, ajo mund të kryejë veprime të kundraligjshme përmes vartësve të saj. Ajo ka emëruar vetë në pozicione kyçe si drejtorë, të besuarit e saj. Dhe kontakti me ta është një lloj sikur në detyrë publike të ishte vetë ajo”.
SPAK thotë se Balluku ka intimiduar dëshmitarët me vendin e punës, por edhe persona në emër të saj duke i kërcënuar me vendin e tyre të punës apo familjarëve ose me para në këmbim të ndryshimit të dëshmisë.
Avokatët e Ballukut pranuan se çështja nuk është e motivuar politikisht, ndërsa kërkuan rrëzimin e kërkesës së SPAK duke thënë se Balluku nuk është më në detyrë dhe e ka zbatuar pezullimin.
Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.
Tashmë gjithçka do të vendoset në seancën e 5 marsit, atje ku me shumë gjasë, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do të paraqesë dy raporte, njëri në emër të PD-së dhe tjetri që do të mbajë firmat e ligjvënësve socialistë. Seanca do të votojë mbi raportet e paraqitura dhe më shumë se sa një përballje numrash, nëse palët do të ndahen deri në fund lidhur me arrestimin e Ballukut, 5 marsi do të tregojë se sa të unifikuar do të jenë palët në momentin e votimit. /Pamfleti/
Shqipëria eshte e pushtuar nga hajdutet e ndyre shkatërrimtar. Fatkeqësisht, ka edhe opozite po aq hajdute te ndumyer e shkatërrimtare. U mbete popullit te gjej prijësit e vet dhe ti veje ata ne ball rrugës per vendosje te rendit dhe ligjit. Çer ndajen e hajdutërisë dhe shkatërrimit.
Ku e katandisen rilindasit kete shtet! Kapet tjetra duke vjedhur dhe jo vetem nuk iken nga zyra, por nxjerr dhe te fortet te kercenojne deshmitaret. Dhe Edi Rama qe rri e veshtron si i tredhur. Turp! Turp! Turp!