
Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën paraprake ndaj Erion Veliajt, duke pranuar kështu kërkesën për të marrë kohë për t’u njohur me aktet.
Në këto kushte, gjykata ka caktuar të premten në orën 09:00, seancën e radhës ndaj Veliajt. Kryebashkiaku ishte i pranishëm sot në seancë, ndërsa Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga prokurori Ols Dado.
Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar kërkesat e kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili donte që t'i krijoheshin kushte për t’u njohur me aktet e dosjes. Kryetari i bashkisë, kërkoi një pajisje teknologjike në burg ose të lejohej çdo ditë që të vinte në gjykatë për të studiuar dosjen, por kërkesat u refuzuan.
Veliaj deklaroi sot në seancë se i është mohuar e drejta për tu njohur me aktet e dosjes, ndërsa ka theksuar se vendosja e tij në kafaz është trajtim degradues dhe në kundërshtim me KEDNJ.
Kryebashkiaku paraqiti tri kërkesa konkrete për gjykatën: heqjen e menjëhershme të kafazit, dorëzimin e plotë dhe të aksesueshëm të akteve të dosjes dhe shtyrjen e procedurës derisa t’i garantohet e drejta për mbrojtje reale. Ai ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në një proces ku nuk ka qasje në dokumente dhe ku pozicionimi fizik e paraqet si person të rrezikshëm pa asnjë bazë.
Seanca u shty për më datë 5 dhjetor pasi Gjykata pranoi kërkesën e Veliajt për tu njohur me aktet.
Ai u arrestua me urdhër të SPAK, më 10 shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku i Tiranës, akuzohet për disa vepra penale: korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.
Nga gjetjet e SPAK, rezulton se në të paktën 9 raste Erion Veliaj, ka kryer akte korrupsioni pasiv. SPAK thotë se, në këmbim të përfitimeve të parregullta në para dhe pasuri të paluajtshme Veliaj ka dhënë leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Të përfshirë në këtë dosje janë janë edhe 28 persona të tjerë, biznesmenë si dhe biznese.
Lini një Përgjigje