Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi se mbledhja e Këshillit të Mandateve duhej të ishte zhvilluar me dyer të hapura.
Sipas tij, opozita ka kërkuar që mbledhjet të jenë publike dhe vetëm në momentin kur prokurori do të paraqiste prova që kërkojnë ruajtjen e sekretit hetimor, atëherë të merrej vendim për mbylljen e dyerve.
Bylykbashi theksoi se kërkesa për transparencë është shprehur edhe në mbledhjen e 19 dhjetorit dhe se qëndrimi i opozitës ka qenë i njëjtë.
Deputeti demokrat ngriti gjithashtu shqetësimin se votimi në këshill mund të kishte përfunduar në barazim, çka sipas tij do të rrëzonte kërkesën e prokurorisë.
Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se prokurori i posaçëm ka kërkuar me shkrim që provat dhe të dhënat të ruhen në kuadër të sekretit hetimor, dokument që sipas tij është firmosur nga të gjithë deputetët anëtarë të këshillit.
“Së pari dua të them diçka, ne kemi këmbëngulur edhe në mbledhjen tjetër të 19 dhjetor, që ajo mbledhje duhet të ishte e hapur. Është e regjistruar në procesverbalet e mbledhjes., edhe sot kërkuam të njëjtën gjë. Procedura e mbledhjes së këshillit duhet të fitojë e hapur. Nëse ka nevojë, siç është kërkesa e prokurorit të posaçëm që të jetë e mbyllur, këshilli duhet të marrë vendim. aty ishin të vendosur që mbledhja të ishte me dyer të mbyllura. Ne gjykojmë si opozitë që këto mbledhje duhet të jenë publike. Kur kemi bërë kërkesën e heqjes së imunitetit në vitin 2012, atë kohë mendohej të hiqej krejt. Me një kërkesë të Edi Ramës, ra dakord me këtë që kemi sot.
Ai debat aty duhet të ishte i hapur. Kur kishte prova dhe prokurori ta kërkonte, të mos bëheshe me dije për publikun, por të mbylleshin dyert.
Kryetari i Kuvendit në të dyja rastet nguli këmbë që këshilli nuk merr vendime. Sipas tij, këshilli nuk merr asnjë vendim dhe nuk e hodhi kurrë në votim.
Në raste të tjera, edhe të Berishës, këshilli ka marrë vendimi. Kjo për të kuptuar njerëzit që ka edhe një hall më të madh. Votimi mund të ishte 5 me 5 dhe rrëzohej kërkesa e prokurorisë.
Në fund fare këto gjëra dalin. Kreu i Grupit Parlamentar doli dhe mbajti qëndrimin që ne kishim.
Këtu është një element tjetër që është aspekt procedural. Ne, prokuroi i posaçëm, na ka kërkuar me shkrim që të dhënat dhe provat të ruanin sekretin hetimor. Të gjithë deputetët kanë firmosur për këtë gjë”, u shpreh Bylykbashi në emisionin “Top Story”.
Lini një Përgjigje