
Partia Demokratike ka njoftuar se më 28 shkurt do të zhvillojë protestën e radhës në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij nga Foltorja para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se protesta e së shtunës do të nisë në orën 18:00.
Ai ftoi të gjithë mbështetësit të marrin pjesë në tubim, duke shtuar se qytetarët do të protestojnë për arrestimin e Ramës, pasi vetëm ata do ta rrëzojnë qeverinë. Berisha nuk dha detaje të hollësishme mbi skenarin e protestës, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bëhen të ditura informacionet organizative.
Protesta vjen në një kohë tensioni politik mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa Partia Demokratike ka paralajmëruar më herët vijimin e aksioneve opozitare.
Mbetet për t’u parë se si do të organizohet tubimi dhe cili do të jetë reagimi i institucioneve lidhur me mbarëvajtjen e tij.
Kujtojmë se, protesta e opozitës e mbajtur më 20 shkurt në Tiranë u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, duke sjellë edhe arrestime.
Tubimi, i organizuar nga Partia Demokratike kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, nisi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe para godinës së Kryeministrisë. Fillimisht protesta u zhvillua me fjalime dhe thirrje politike, por më pas situata u tensionua. Më pas, protestuesit u zhvendosën pata Parlamentit ku edhe aty u krijuan tensione.
Sipas Policisë, një grup protestuesish hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve, ndërsa u tentua thyerja e kordonit të sigurisë. Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën dhe për të rivendosur kontrollin.
Si pasojë e incidenteve, disa persona u shoqëruan dhe u arrestuan për akte dhune dhe kundërshtim të forcave të policisë. Gjithashtu, u raportua për efektivë të lënduar lehtë gjatë përplasjes.
Nga ana e saj, opozita akuzoi policinë për përdorim të tepruar të forcës, ndërsa kërkoi lirimin e protestuesve të ndaluar.
Protesta e 20 shkurtit ishte pjesë e aksionit politik të paralajmëruar nga opozita, ndërsa ngjarjet e asaj mbrëmjeje thelluan më tej klimën e tensionuar politike në vend.
Lini një Përgjigje