
Rama e mbylli fushatën në Durrës, ndërsa dyshja Meta-Berisha në Tiranë...
Partitë politike në vend kanë mbyllur fushatën elektorale. Pas 30 ditësh takime, sot ishte dita e fundit, për tu bërë më pas gati për zgjedhjet e së dielës.
Partia Socialiste vendosi që ta mbyllë fushatën në Durrës. Qyteti bregdetar shihet si beteja kryesore për socialistët, pasi Emiriana Sako dhe Igli Cara, janë “kokë më kokë” sipas sondazheve. Për këtë arsye Rama ishte në Durrës dhe kërkoi vota për Sakon. Nga ana tjetër ai nuk kurseu elozhet për patronazhistët, që si duket do i dalin në ndihmë Sakos këtë herë.
“Dua t’u bëj një përshëndetje anëtarëve të Këshillit Bashkiak, drejtuesit të PS-së në Durrës. U bëj një përshëndetje patronazhistëve të frikshëm të Durrësit. Të gjithë zgjedhësve të PS-së në Durrës. Dua t’i bëj një përshëndetje kryetares së bashkisë që ka cilësinë e paparë që t’i fshehë emocionet më shumë se çdokush tjetër që unë kam parë në jetën politike. Jam i bindur se Durrësi është lokomotiva e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Është kthyer në qendrën e gravitetit të një hapi tjetër, të një momenti tjetër të historisë së zhvillimit ekonomik. Pas shumë përpjekjesh është vendosur baza, kështu me portin e ri turistik, me atë tregtar, me hekurudhën e re, Durrësi do të rikthehet se s’bën në atë që ka qenë, në portën kryesore të Adriatikut”, u shpreh kryeministri.
Ai e përqendroi fushatën te projekti që do ketë Durrësi, siç janë dy portet që do të ndërtohen. Ndërkohë gjithashtu foli dhe për zërat se Cara mund të marrë Durrësin, duke deklaruar se është i bindur se Sako do triumfojë.
Ndërkohë koalicioni “Bashkë Fitojmë” vendosi ta mbyllë fushatën në Tiranë, duke i dhënë mbështetje Belind Këlliçit. Ky i fundit u shpreh se sapo të marrë detyrën do të nisë punën për autobusin falas dhe nënkalimin te sheshi “Skënderbej”.
“Nuk ka të madh e të vogël në Tiranë që nuk e di se Belind Këlliçi pas 14 majit do e bëjë autobusin falas në qytet e në fshat. Kur dhashë këtë premtim të mirëmenduar me ekspertët më të mirë të PD gjithkush mendoi si do të bëhej, por kur ka 430 mln euro për inceneratorë fantazmë, nuk dilkan për pensionistët dhe studentët. Paratë nga dheu do i nxjerrë Belind Këlliçi e do e bëjë autobusin falas”, tha Këlliçi.
Nga ana e tij Berisha nuk kurseu sulmet ndaj Ramës teksa kërkoi votën e qytetarëve për Këlliçin dhe kandidatët e tjerë në bashkitë e vendit.
“Një mirënjohje e pakufishme ndaj Belind Këlliçit dhe 61 kandidatëve të primareve, të cilët shkëlqyen si yje të vërteta të lirisë me fushatën e tyre, me takimet, me bisedat, me projektet, me programet.
Kurrë ndonjëherë qytetari shqiptar nuk është ndjerë më i përfillur, më i nderuar, më i vlerësuar, ashtu siç e meriton nga përfaqësuesit e tij. Kandidatët e primareve janë kandidatët e fitores, janë kandidatët e lirisë.
Sonte është një natë e veçantë në historinë e përpjekjeve tona për liri dhe dinjitet. Sonte ne mbyllim fushatën me të cilën ne ia dolëm të bindim shqiptarët, ia dolëm të takojmë shqiptarët, të bisedojmë me ta, të vendosim së bashku më 14 maj, të votojmë ndryshimin, të votojmë Belind Këlliçin, të votojmë kandidatët tanë të fitores”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje