
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko deklaroi se me Sali Berishën në parti, nuk mund të fitohen zgjedhjet.
Në një intervistë, Bejko u shpreh se Berisha është i konsumuar dhe u refuzua me 1 milion vota në zgjedhjet e vitit 2013.
“Nëse do të vazhdohet me inate, i bie të mos ndalim kurrë nga ky rreth vicioz. Po vazhduam me inate, lufta civile brenda partisë do të vijojë në mënyrë të përjetshme.
Të gjitha palët duhet të lëshojnë nga pak. Duhet të harrojmë një pjesë të sulmeve qe na janë bërë. Duhet pasur me shumë tolerancë për bashkimin. Por me një kusht, pa berishizmin.
Berishizmi, edhe të bashkuar të jemi, as në 2025-n, as në 2029-n, as në 2033-n nuk do të na japë fitoren. Është një ofertë e konsumuar tashmë në politikën shqiptare. Është një ofertë që është refuzuar me 1 milion vota në 2013-n nga shqiptarët”, theksoi ai.
Roland Bejko tha më tej se PD i ka nxjerrë kandidatë e saj për kryebashkiakë, në kushte anormale, për shkak edhe të përplasjeve të brendshme, me grupimin e ish kryeministrit Sali Berisha.
Ndër të tjera, Bejko nënvizoi se pjesa tjetër e kandidatëve, është përzgjedhur në paqartësi, pasi situatat kanë qenë shumë të paqarta.
“Kandidatët janë nxjerrë në kushte anormale, një pjesë e mirë e kandidatëve tanë janë intimiduar dhe janë larguar, janë tërhequr. Pjesa tjetër janë vendosur në paqartësi, se situatat kanë qenë shumë të paqarta. Nuk kam listë emrash këtu dhe nuk jam i autorizuar. Parimisht ka ndodhur kjo gjë. Siç më ka ndodhur edhe mua në qarkun tim, që disa kandidatë janë nisur dhe të tjerë janë përfunduar”, theksoi ai.