
Enkelejd Alibeaj ka akuzuar Sali Berishën dhe Edi Ramën për situatën e PD duke thënë se njëri zvarriti procesin gjyqësor për vulën e PD ndërsa tjetri zaptoi degën dhe selinë kryesore në Tiranë. Teksa mbetet e paqartë se sa kandidatë shkojnë në zgjedhjet e 14 majit nën logon e PD, Alibeajt thotë se vijon me idenë se duhet të kishin 61 përfaqësues.
Alibeaj deklaroi se Belind Këlliçit në Tiranë dhe të gjithë kandidatëve të “Foltores” së Sali Berishës u dha mundësinë që të kandidojnë me logon zyrtare të PD-së, por sipas tij refuzuan. Ai tha se një pjesë donin, por nuk u lejuan, duke nënkuptuar Sali Berishën.
“Pas shumë vitesh po zhvillohet një debat në një forum drejtues të një partie për kandidatët. Një debat i dobishëm për situatën kaotike në të cilën ndodhet aktualisht PD. Kush fshihet pas gishtit për të vërtetën e situatës së demokratëve, duke e shitur atë si normale apo frymëzuese, ose është i kapur nga verbëria politike ose thjesht dëshiron që kjo “status quo” në opozitë të vazhdojë pa fund dhe pa zgjidhje.
Ështe e qartë për të gjithë që çdo degë e partisë demokratike duke përfshirë edhe selinë kryesore është zabtuar nga Berisha dhe njerëzit e tij dhe kjo ka pasur efektin e vet në organizimin normal të një partie që po përgatitet të hyjë në zgjedhje
Me vjen keq që këtë periudhë një pjese e mirë e drejtuesve të PD dhe deputetëve, përfshirë dhe mua, kemi kaluar kohë më së shumti me debate mes njëri-tjetrit në forume, studio televizive apo në kuvend, ndërkohë që duhet të kishim kaluar më shumë kohë me demokratët.
Vazhdoj ti mbetem mendimit dhe qëndrimit se duhet të kishim 61 përfaqësues në bashkitë për zgjedhjet lokale. Por stërzgjatja e procesit gjyqësor për PD, vendimi I KQZ dhe çuarja në limite kohore na kushtëzoi në këtë proces. Përtej faktit që deri në momentin e fundit, dora jonë ka qenë e shtrirë për ata kandidatë të foltores që kanë dashur dhe janë penguar në forma të ndryshme të kandidojnë në siglën e PD.
Çfarë do emri të përdorin, nuk do ja fshehin dot demokratëve dhe shqiptarëve që pazari mes Ilir Metës dhe Sali Berishës është mënyra për të mbajtur peng demokratët dhe për t’i detyruar që dhe njëherë tjetër të votojnë për një parti të majtë që përmes pazareve solli Edi Ramën në pushtet.”-u shpreh Alibeaj.