Politike 6 Shtator 2023, 22:25

Negociatat Berisha-Bardhi dhe si “ujku” Ilir Meta po tenton të përfitojë nga kriza brenda PD

Shkruar nga Pamfleti
Negociatat Berisha-Bardhi dhe si “ujku” Ilir Meta po tenton të
Meta-Berisha në prezantimin e "Librit të zi" për zgjedhjet

Kjo krizë është një mundësi e artë për Metën, të cilit në zgjedhjet e shkuara për pak ju shkri partia. Nëse PD do ishte e bashkuar, sot Meta dhe PL do ishin tërësisht jashtë loje. Konflikti në PD është mundësi që ai të ngrejë partinë nga hiri...

Një pjesë e madhe e deputetëve të PD hodhën të dje një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të PD.

Deputetët që janë rreshtuar krah Gazmet Bardhit u ulën në një tryezë me Sali Berishën për të ndërtuar një axhendë të përbashkët parlamentare. Por ajo që ranë sy ishte se Berisha në fjalimin që mbajti, u shpreh se do të ndërtohet një front opozitar bashkë me Partinë e Lirisë. Pra 43 deputetëve që morën pjesë, do u bashkohen edhe 4 deputetët e PL në sallën e Parlamentit.

Pas kësaj deklarate, sot Ilir Meta doli nga “strofulla” dhe njohu Gazmet Bardhin si kryetar të grupit të PD dhe u pozicionua në grupin në fjalë. “Mendoj se në demokraci ju e dini se është vota, është shumica të cilat tregojmë legjitimitet kur ka një diskutim. Nuk është detyrë e imja, por për mua është unifikimi i opozitës dhe vënia në punën një herë e përgjithmonë e opozitës përballë regjimit”, tha Meta.

Deri këtu duket gjithçka normale, pasi opozita po tenton të jetë e përbashkuar në një front kundër mazhorancës. Por në të vërtetë kjo është një mundësi e artë për Metën, të cilit në zgjedhjet e shkuara për pak ju shkri partia. Nëse PD do ishte e bashkuar, sot Meta dhe PL do ishin tërësisht jashtë loje. Konflikti në PD është mundësi që ai të ngrejë partinë nga hiri dhe këtë mundësi ndoshta do ja japin Bardhi me Berishën.

Deri më tani 4 deputetët e PL, me në krye Kryemadhin nuk i përfillte askush në Kuvend. Ata nuk kanë pasur minutazh dhe në komisione kanë qenë ingezistentë. Por tani ata do faktorizohen. PD ka kërkuar 3 komisione hetimore dhe sipas sinjaleve, deputetët e PL do futen aty bashkë me aleatët.

Mirëpo ambicia e Metës nuk është kjo. Kreu i PL ka filluar të shohë te zgjedhjet e 2025 dhe për sa kohë PD është e përçarë, ai mund të jetë përfituesi më i madh.

Lulzim Basha mbajti zgjedhje brenda PD dhe pretendon se ka logon zyrtare. Nëse gjykata pranon Statutin e miratuar në 2 shtator, atëherë pavarësisht se Bardhi e Berisha kanë 43 deputetë pas vetes, vulën dhe logon e ka Basha. Kjo do të thotë se në zgjedhjet e 2025 (të cilat janë afër) do të jetë Lulzim Basha që do të futet nën logon e PD. Ai do caktojë kandidatët dhe mënyrën e përfaqësimit në zgjedhje. Sinjalet janë se bashkimi i Berishës me Bashën nuk ka për të ndodhur kurrë dhe këtu del sërish në skenë Ilir Meta.

Berisha, Bardhi dhe gjithë deputetët e tjerë kanë dy rrugë për të shkuar në zgjedhje: ose të dalin me parti më vete (deri më tani është refuzuar kategorikisht nga Berisha), ose të futen si koalicion, nën ombrellën e PL, pra si më 14 maj.

Ilir Meta lut të ndodhë kjo e fundit. Ai do fusë në pozicione të sigurta deputetët e tij dhe po ashtu të gjitha votat e PD do shkojnë për PL dhe ajo do cilësohet si forcë kryesore, qoftë në mazhorancë nëse fitojnë, qoftë në opozitë nëse humbasin.

Mbetet të shihet se si do shkojë gjërat deri atëherë, por e sigurt është se më shumë se Ramës, përçarja e opozitës i intereson Metës. Nëse PD bashkohet dhe hyn në logon e saj në zgjedhje, duke mos u përzierë me PL, kjo e fundit shkrihet si parti. Por nëse palët janë të ndara, Meta duket se do jetë përfituesi kryesor.

Ndërkohë mbetet të shihet se çfarë do të bëjë SPAK, pasi nëse hyn në lojë prokuroria, mund të bien të gjithë skenarët dhe Meta i ndjek zgjedhjet nga televizori. /Pamfleti

bardhi berisha basha pd