Editorial 4 Mars 2024, 11:45

Njësia speciale e ‘GRU’ ruse, në Shqipëri: Dinin gjithçka për municionet!

Shkruar nga Pamfleti
Njësia speciale e ‘GRU’ ruse, në Shqipëri: Dinin
Pamje nga baza ushtarake e Gramshit /

Nga vdekja e 4 rusëve në hotel ‘Gloria’ në Durrës e deri tek arrestimi i Svetlana Timofeevas, e ashtuquajtura Lana Sator, në bazën e Gramshit

Tashmë, shërbimet inteligjente perëndimore kanë plotësuar kuadrin e panoramës së ndërhyrjes së fortë të shërbimit sekret famëkeq rus ‘GRU’ në Shqipëri që prej 5 vitesh.

Madje, mësohet se Kremlini ka marrë që në fillim informacione se Shqipëria mund të zgjidhet si një vend i mundshëm i prodhimit të municioneve për ushtrinë ukrainase. Atëherë, kur realisht nuk ishte vendosur asgjë nga NATO.

Por, mendohej se vendet e Perëndimit nuk do të kishin aq municion sa të furnizonin Zelenskyn për 5 vite luftë. Vladimir Putini e dinte mirë natyrën harpagoniane të Perëndimit, që nuk do t’i boshatiste magazinat qendrore, por vetëm ato të tepricës së fundit.

Në shkurt të vitit 2022, njeriu më i afërt i Vladimir Putinit, Nikolai Patrushev, i cili është edhe supershefi i shërbimeve sekrete ruse, vizitoi Ballkanin.

Dy kanë qenë objektivat e vizitës së Patrushev në Banja Luka dhe Beograd: mbledhja e rekrutëve për të luftuar kundër ukrainasve në zonën e Donbasit, si dhe nisja e një operacioni spiunazhi dhe destruksioni në vendet properëndimore të Ballkanit. Ndërsa në Mal të Zi nisi lëvizjet për të larguar nga pushteti Dritan Abazoviç, i cili bëri një veprim spektakolar, ndaloi ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov të shkojë në Beograd, e më pas destabilizimin e Maqedonisë, dhe të Shqipërisë.

Pak muaj pas vizitës së Patrushev në Ballkan, në Shqipëri ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, që kanë në qendër spinazhin rus. Në fakt një ngjarje tjetër e dyshimtë kishte ndodhur pak muaj më parë. Një kolonel i ushtrisë ruse, Sergei Burenkov, humbi jetën në mënyrë të dyshimtë së bashku me familjen e tij në tetorin e vitit 2021, në një hotel në Golem të Durrësit.

Vdekja ndodhi në SPA-në e një hoteli në Golem, ku Natalia Burenkova, 58 vjeç, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre Nikita Belousov, 37 vjeç dhe vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe, vdiqën për 5 minuta. Asnjëherë nuk doli një hetim zyrtar për motivet e vdekjes së familjes Burenkov, edhe pse ambasada ruse, zyrtarisht e kërkoi, ndërkohë që sërish gjërat u mbajtën mister. Ndërkaq, disa muaj pas ardhjes së kryespiunit rus, në Shqipëri, pati disa incidente në ish-sitet e vjetra të ushtrisë shqiptare, përkatësisht industrisë së prodhimit të armatimit.

Në Gramsh, Poliçan, Kuçovë, por edhe në ish-ofiçinën e riparimit të avionëve po në bazën e Kuçovës. E cila është thuajse 40 përqind e bunkerizuar.

E ja ku jemi sot pas 2 vitesh, që jo vetëm Baza e Kuçovës u hap, por edhe po bëhet gati riaktivizimi i prodhimit të municioneve për Ukrainën.

Këtu ka dy mistere, e para ku e mori vesh Kremlini informacionin që do të riaktivizohej kjo industri? Nga vendet e tjera të NATO-s, apo nga Shqipëria?

Cili është roli i shërbimit sekret shqiptar, dhe i kundërzbulimit të tij?

Në gushtin e vitit 2022, tre shtetas rus u arrestuan në bazën e Gramshit, ndërkohë që po fotografonin pa leje dhe pa njoftim. Madje një nga rusët, sulmoi me spry edhe një nga rojet ushtarake. Të tre rusët u arrestuan, dhe sot gjërat janë krejt ndryshe. Njeriu kryesor i asaj celule, Svetlana Timofeeva, e ashtuquajtura Lana Sator, u arrestua dhe më pas u lirua. Sot është një nga personat më të kërkuar të Moskës, por që ende nuk dihet përse ajo nuk ikën dhe pse kërkohet.

Vetë Timofeeva thekson se është një kundërshtare e Putinit dhe e luftës në Ukrainë dhe nuk do të shkojë në Rusi. Vetë ky akt është një ngjarje e rëndë e Shqipërisë nëse nuk zbaton një vendim gjykate ruse.

Po përse Moska nuk bën zë?

Çfarë fsheh grupi i kapur në Gramsh?

Të gjithë këto janë pa përgjigje, po gjithsesi në tërë këtë mishmash të panjohurash, rëndon më shumë misteri dhe zhurmat për ekzistencën në Shqipëri të brigatës së tmerrshme të shërbimit sekret ‘GRU’ që nuk ka emër, por vetëm një numër: 29115. Është skuadra që ka vrarë spiunin më të rëndësishëm të ‘GRU’ që ju dorëzua Perëndimit Sergej Skripal e që u vra në Britaninë e Madhe vetëm disa vite më pas. Është brigada që shpërtheu baza e depo municionesh në Çeki, Lituani, Sllovaki, Bullgari e vende të tjera të NATO-s. Kjo brigadë arriti të trazojë Malin e Zi në vitin 2016, duke qenë afër rrëzimit të qeverisë properëndimore të Podgoricës, apo mazhorancës pro-NATO të Maqedonisë së Veriut.

Deri më sot, shërbimet perëndimore kanë arritur të rrëzojnë operacionet e ‘GRU’ ruse, por jo gjithmonë. Pasi në Shqipëri, rusët nuk kanë dalë asnjëherë hapur, kanë vepruar gjithmonë nëntokë, për të çarë mbrojtjen dhe objektivat e NATO-s. Rreziqet e të cilave ekzistojnë ende, madje mësohet se ekziston rreziku se nëse këtu prodhohen armë për Ukrainën, mund të provokohen kataklizma…/Pamfleti

njësi speciale gru sekrete ruse municionet