Editorial 4 Mars 2024, 10:02

Plani i Erdogan për të krijuar xhematin politik në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

 

Plani i Erdogan për të krijuar xhematin politik në Shqipëri
Edi Rama dhe Rexhep Tajip Erdogan /

SHBA, kanë bërë të ditur se nuk do të lejojë krijimin e një komuniteti mysliman paralel, që nuk është i njohur nga shteti. E këtu gjasat janë të nisë realisht përplasja e madhe e amerikanëve me Edi Ramën...

Ajo që po ndodh në Komunitetin Mysliman në Shqipëri, përkatësisht me përplasjet mes palëve, nuk është një kontestim zgjedhjesh. Është luftë e pastër politike.
Luftë që po nxitet, mbështetet dhe financohet nga Ankaraja.
Ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan, gjatë agjendës së tij në Tiranë, nuk ka vizituar vetëm xhaminë e madhe, por ka takuar grupet që duhet të aktivizohen në luftën kundër KMSH-së.
Janë grupe të strukturuara në OJF, të cilët jo vetëm mbështeten, por financohen nga milionat që qarqet e AKP-së së Turqisë sjellin në Tiranë.
Komuniteti Mysliman Shqiptar, pas rrëzimit të komunizmit nuk ka pasur mundësinë që të kontrollohet plotësisht prej rrymave të shumta që kanë depërtuar nëpërmjet donacioneve, apo edhe allishverishet për pronat e vakëfet.
Hafiz Sabri Koçi, është i treguar i kujdesshëm për të lënë një rrjet myftinjsh e hoxhallarësh, që të jenë sa më afër islamit tradicional.
Ka pasur disa prej xhamive që janë kontrolluar nga qarqe të ndryshme. Si për shembull klani nga Katari apo Bahreini, përgjithësisht shoqatat më të dyshimta, vunë duart mbi xhaminë e Kavajës dhe atë të Urës së Tabakëve, nëpërmjet krijimit të një rrjeti divani të rëndësishëm, por asnjëherë këto nuk u bënë qendra të një “ushtrie” që të rreshtohej pastaj sipas interesave të caktuara.
Megjithatë, në gjithë këtë luftë, kanë operuar edhe interesa të mëdha që çojnë në fuqinë që ka KMSH si pronari më i madh i vakëfit, pra pronave që administron në të gjithë vendin. Akoma të gjitha pronat e vakëfit nuk janë kthyer. E duhet pasur parasysh se shumica e pronave të vakëfit janë në qytetet e mëdha, e përbëjnë trojet më të lakmuara nga mafia e pronave.
Në vitin 2000 u vra në rrethana krejtësisht të dyshimta sekretari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Sali Tivari. Vrasje që ende nuk është zbardhur.
Pas kësaj vrasje nisi një influencë e madhe në komunitet, influencë e krahut turk, si pasojë e investimeve të TIKA. Në pushtet kishte ardhur Rexhep Tajip Erdogan, i cili atëherë kishte aleat të ngushtë lëvizjen e Fetullah Gylen. Një lëvizje lobiste, që financonte arsimimin e mejtepeve në medrese dhe shkolla të larta teologjike.
Në shkollat që financonte dhe financon aktualisht Gyleni, u shkolluan mjaft studentë shqiptarë, të cilët edhe banonin në shtëpi apo konvikte që gjithashtu financoheshin nga Fetullah Gylen. Natyrshëm, që hoxhallarët e dalë nga këto shkolla do të vinin e do të punonin si imamë e myftinj në Shqipëri.
Por me prishjen me Gylenin, Erdogan, kërkoi që të largoheshin të gjithë klerikët që nuk i kontrollonte dot. Këtë e ka bërë në Kosovë, Maqedoni, Bosnjë dhe në Shqipëri.
Këtu, por edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, ka ndërhyrë SHBA, e cila nuk ka lejuar që Komunitetet Myslimane të kthehen në çerdhe politike të Rexhep Tajip Erdoganit.
I cili synon që të krijojë një xhemat politik, të gatshëm që të veprojë në situata të caktuara sipas interesit të tij. Pra, që në xhami, të mos ketë thjesht besimtarë që shkojnë e falin 5 vaktet e namazit, por të bëjnë atë që bënë kur sulmuan myftiun e Tiranës, në Xhaminë e Dine Hoxhës në Rrugën e Kavajës.
Erdogan kontrollon disa shoqata që botojnë revista, gazeta e portale, që hapin një klime mllefi mes besimtarëve. Një nga portale është edhe mexhlisi, i cili në rrjete sociale është shumë i sponsorizuar.
Ai akuzon dhe shpërndan video kundër të gjithë atyre që i quan gylenistë. Por po t’i shikosh me vëmendje këto materiale, janë thjesht propagandistike.
Mungojnë kritikat logjike, renditja e fakteve normale, apo edhe akuzat me bazë. Pastaj, nga ana tjetër, besimtarët e pakënaqur me procesin e zgjedhjeve në KMSH, kanë të gjitha mundësitë për ta ndjekur procesin në organet e drejtësisë.
Duke kërkuar verifikimin e rregullsisë së procesit zgjedhor, dokumenteve, apo edhe të çojnë në prokurori faktet që mund të kenë për falsifikim.
Në një shtet ligjor, këto janë mundësitë e vetme, pastaj, nëse ndodh si në vendet arabe, ku selafistët e munafikët, e më pas talebanët kanë marrë me dhunë të gjitha xhamitë e medreseve, atëherë nuk jemi në një shtet ligjor.
KMSH është një organizatë që vepron sipas Kushtetutës e ligjeve të shtetit. Kush e konteston, duhet ta bëjë sipas rrugëve ligjore e kushtetuese.
Ai që po shkel Kushtetutën në këtë rast është pikërisht Erdogan, i cili në mënyrë flagrante nuk i dorëzon Xhaminë e Madhe të vetmit autoritet klerikal të myslimanëve shqiptarë.
Nëse ai e ka financuar për besimtarët, nuk mund të kushtëzojë ngritjen e një KMSH paralele, që minon jo thjesht marrëdhëniet mes myslimanëve, por krijon një precedent të rrezikshëm, siç ka ndodhur në vende të ndryshme të vogla arabe, ku organizata të errëta kanë tentuar të marrin me forcë ulemën klerikale.
Ndërkaq, stresi i madh që ka kapur erdoganistët, është se SHBA u ka bërë të ditur se nuk do të lejojë krijimin e një komuniteti paralel, që nuk është i njohur nga shteti. E këtu gjasat janë të nisë realisht përplasja e madhe e amerikanëve me Edi Ramën./Pamfleti

plani i erdogan xhemati politik shqipëria shba komuniteti mysliman