
Media gjermane për Ramën: Shumë shfaqje, shumë propagandë, zero substancë!
Gazeta gjermane “Taz” ka ironizuar hapur kryeministrin Edi Rama për emërimin e një ministreje të re në kabinetin qeveritar që, sipas saj, nuk është njeri, por një figurë e krijuar nga inteligjenca artificiale.
Në artikullin e saj, “Taz” shkruan se Rama ka vendosur në qeveri Diella-n, një ministre virtuale e paraqitur me veshje popullore shqiptare, e cila do të ketë për mision “luftën kundër korrupsionit dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030”.
Sipas medias gjermane, opozita shqiptare e ka cilësuar emërimin antikushtetues, duke argumentuar se ministri duhet të ketë shtetësi shqiptare dhe mbi të gjitha të jetë qenie njerëzore.
“Korruptimi nuk luftohet me algoritme”, ironizon “Taz”, duke shtuar se një AI mund të shënojë tendera të dyshimtë, por nuk ka fuqi të shkatërrojë strukturat politike që e mbajnë korrupsionin në jetë.
Gazeta kujton gjithashtu se Rama ka bërë shpesh premtime madhështore që kanë mbetur në letër, si “mini-Vatikani” për bektashinjtë apo ndalimi i TikTok-ut, që nuk funksionuan kurrë.
Sipas “Taz”, Rama preferon një ministre artificiale për një arsye të thjeshtë: ajo nuk kritikon, nuk bën akuza, nuk del dot në publik me zërin e saj dhe mbi të gjitha, mund të fiket me një buton.
Artikulli nuk kursen talljet ndaj imazhit ndërkombëtar të kryeministrit shqiptar, duke theksuar se pavarësisht mungesës së standardeve demokratike dhe stilit gjithnjë e më autoritar, Rama vazhdon të shitet si lider vizionar jashtë vendit dhe madje ka zënë edhe kopertina prestigjioze me intervista ku flitet më shumë për shtatlartësinë dhe muskujt e tij sesa për problemet reale të Shqipërisë.
Në përfundim, “Taz” e paraqet Diella-n si simbolin më të qartë të qeverisjes spektakolare të Ramës: shumë imazh, shumë propagandë, shumë shfaqje, por pak substancë.
Shkrimi i plotë
Shqipëria ka tashmë një ministre të re që nuk është as politikane, as qytetare shqiptare, madje as njeri. Bëhet fjalë për Diella-n, një figurë e krijuar nga inteligjenca artificiale, të cilën kryeministri Edi Rama e ka emëruar në kabinet si “ministre për luftën kundër korrupsionit” dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.
E prezantuar me veshje popullore shqiptare dhe me një profil futurist, Diella u shpall si simbol i inovacionit në qeverisje. Por opozita reagoi ashpër, duke e quajtur hapin antikushtetues: sipas ligjit, një ministër duhet të ketë shtetësi shqiptare dhe mbi të gjitha të jetë njeri.
Rama e ka justifikuar projektin si një sinjal për vendosmërinë e tij në luftën kundër korrupsionit, pengesa kryesore e integrimit europian. Në shkurt, shoku i tij i partisë dhe ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përfundoi në burg për akuzat e korrupsionit, duke treguar se edhe peshqit e mëdhenj nuk janë të paprekshëm. Megjithatë, ndërkohë që në Tiranë ngrihen pa fund kulla dhe projekte ndërtimi që shërbejnë si kanale për pastrimin e parave nga trafiku i kokainës, një ministre virtuale nuk e ndryshon realitetin.
Një AI mund të sinjalizojë tendera të dyshimtë, por nuk mund të shkatërrojë strukturat politike dhe klienteliste që e ushqejnë korrupsionin. Ajo është po aq e besueshme sa të dhënat që i jepen dhe në një vend ku vetë institucionet shpesh janë pjesë e problemit, rreziku është që edhe teknologjia të korruptohet.
Edi Rama është i njohur për stilin e tij ekscentrik dhe për premtimet madhështore që shpesh mbeten të pambajtura. Ai ka shpallur dikur një “minishtet” për bektashinjtë brenda Shqipërisë, projekt që nuk u bë kurrë. Po ashtu, u përpoq të ndalonte TikTok-un, por nisma dështoi. Megjithatë, makineria e tij e PR-it funksionon. Pavarësisht mungesës së standardeve demokratike dhe drejtimit gjithnjë e më autoritar, Rama gëzon vëmendje dhe imazh pozitiv në arenën ndërkombëtare. Së fundmi, ai u shfaq në kopertinën e revistës gjermane ZEITmagazin, në një intervistë ku vëmendja iu kushtua më shumë shtatlartësisë dhe forcës së tij fizike sesa problemeve reale të vendit.
Kritikat Rama i duron pak, ndaj ndoshta zgjedhja e një ministre virtuale nuk është rastësi. Diella nuk flet dot vetë, nuk mban qëndrime kritike, nuk akuzon kryeministrin dhe mbi të gjitha mund të fiket me një buton. Një simbol i qeverisjes moderne të Ramës: shumë shfaqje, shumë teknologji, por pak substancë në realitetin e përditshëm shqiptar.
Kjo TAZ eshte nje gazete leshi, eshte sikur e boton shoqata per mbrojtjen e Enverit. Jeni gazete qe ju lexoj me kenaqesi por mos e degjeneroni me keto artikuj. Shumica e gjermaneve as nuk e dine qe egsiston.
Kete realitet kaq fallco dhe te peshtire , vetem ne shqiptaret nuk po e ndjejme. Po ballkani hapur ca ishte, ku jemi sot, si u realizua, cfare perfituam?! vetem tym, ajer. 12 vjet pushtet as uje nuk kane njerezit, cmimet stratosfere, kostot e jeteses te frikshme. Administrata korrupsion arrogance vegjetim nepotitem. Institucione te kalbura. Media gjermane nuk zbuloi gje, ajo eshte jetike ben muu para cdo shqiptari. Show must go on.