
Ditën e sotme, me propozim të këshilltarëve socialistë u shkarkua nga detyra Erion Veliaj.
Kërkesa e socialistëve për shkarkimin e Veliajt u bazua në mungesën e tij në detyrë për tre muaj, parashikuar nga ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”.
Kështu tashmë, Bashkia e Tiranës do të hyjë në zgjedhje të parakohshme. Vetë Rama, më 11 shtator, propozoi që si kandidate për bashkinë e Tiranës të jetë Ogerta Manastirliu, duke e cilësuar si një person që i nevojitet kryeqytetit më shumë se kurrë.
Por nga ana tjetër, nevojitet edhe për kandidatë të opozitës. Dorian Teliti, në lidhje të drejtpërdrejtë Klan Neës, komentoi ngjarjet e sotme të Këshillit Bashkiak, si dhe vijimësinë e kësaj bashkie.
I pyetur nëse ka ndonjë emër nga Partia Demokratike për ta përballur me Manastirliu, Teliti u shpreh se vetë ai do të ishte i gatshëm të merrte pjesë në garën për kreun e Tiranës. Më tej, demokrati shtoi se forca e tij politike ka me dhjetëra kandidatura të përshtatshme për të marrë pjesë në garën e kryebashkiakut për Tiranën, duke theksuar se kushdo që të vihet do të ketë sukses.
“Në aspektin personal, po do isha gati të merrja përsipër garën e Tiranës. Nëse jam gati për të qenë anëtar i Këshillit Bashkiak, absolutisht jam gati për të qenë dhe kandidat. Por, të siguroj që Partia Demokratike ka me dhjetëra kandidatura të afta, të zotë, përfaqësuese, që mund t’ja dalin mbanë kësaj gare, të cilët janë kolegët tanë, miqtë tanë… Të siguroj që gara e Tiranës do të jetë një garë fituese, bazuar në vendimmarrjen që do marrë Kryesia e Partisë Demokratike dhe lidershipi i saj, Sali Berisha, për sa i përket se kush do e përfaqësojë Tiranën”, tha ai.
Edhe pse nuk dihet se kush do të përfaqësojë PD-në në zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë së Tiranës, Teliti siguroi se do të jetë në krye të fushatës, pavarësisht se kush është kandidati.
“Do jem në krye të fushatës pavarësisht se kush është kandidati, pasi objektivi është ndryshimi i drejtimit të Tiranës”, tha ai.
Kujtojmë se ditën e sotme, Erion Veliaj me votim nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, u shkarkua nga posti i kryebashkiakut. Ky vendim, pritet të kalojë tek Këshilli i Ministrave për t’u vulosur, e t’i hapet kështu rruga për zgjedhjet e Tiranës.
Lini një Përgjigje