Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka folur për përplasjen mes Arben Ahmetajt dhe Edi Ramës. Balla tha se kanë votuar një raport të komisionit hetimor parlamentar ndërsa thekson se nuk do të pengojnë punën e drejtësisë.
“Çfarë s'kam dëgjuar. PS ka votuar një raport dhe ai qëndrim është qëndrimi ynë për këtë çështje. E vërteta është që PS-ja vazhdon t'i mbetet qëndrimit se jemi një republikë parlamentare, drejtësia bën punën e vet, Kuvendi bën punë ne vet dhe secili duhet të vazhdojë punën. Ne nuk jemi nga ata që pengon punën e drejtësisë. Ky ka qenë një nga rastet e pakta që ka pasur një raport të komisionit hetimor dhe është votuar. Kemi dhe një raport tjetër, për privatizimin e OSSH-së, ku shqiptarët humbën 418 mln euro. Unë e mbështes SPAK për hetimin, shqiptarët duan që të gjithë këto dosje, si Gërdeci, 21 Janari, CEZ/DIA të hetohen me paanshmëri dhe të vendoset drejtësi.”-tha Balla për mediat.
Ahmetaj hodhi poshtë akuzat e shumta publike të ngritura ndaj tij për implikim në çështjen e inceneratorëve. Ai konfirmoi qartazi prishjen e marrëdhënieve të tij me kryeministrin Edi Rama, në kabinetet e të cilit ai shërbeu në pozicione të rëndësishme, duke qenë një ndër ministrat më jetëgjatë dhe më pranë tij.
Një javë para tij në Opinion, i pyetur se çfarë po ndodh me Arben Ahmetajn, Rama deklaroi se “kush gabon rrugë ose i merr koka erë dhe bashkë me qëllimet e shpallura kërkon të realizojë dhe qëllime të tjera, t’i dal për zot vetë pastaj”. Ahmetaj nga ana e tij, u përgjigj se nuk i ka kërkuar ndonjëherë ndihmë. Ish-ministri tha se nuk donte të ishte në pozicionin e kryeministrit dhe të pretendojë të bëja gjykatësin. “Një sugjerim, të bëjë atë që bën më mirë, kryeministrin. Gjykatësi është pak i sikletshëm se duhet të njohësh procedurat dhe detajet”,-tha Ahmetaj ndër të tjera.
Lini një Përgjigje