Politike 8 Mars 2023, 07:55

Politologu: Berisha ka marrë peng PD, vendimi i Apelit hapi i parë drejt rinovimit të partisë

Shkruar nga Pamfleti
Politologu: Berisha ka marrë peng PD, vendimi i Apelit hapi i parë
Ish kryeministri Sali Berisha

Politologu Blendi Kajsiu shprehet se Partia Demokratike është marrë peng nga lideri historik i saj Sali Berisha dhe kjo situatë, sipas tij, nuk do të ndryshojë përderisa ai të jetë aty.

“Pengmarrja deri tani bëhet vetëm nga zoti Berisha sepse ai e ka futur në funksion të interesit të tij dhe të hallit të tij personal, të gjithë Partinë Demokratike nëpërmjet një shumice të ngrirë.

Është një shumicë që nuk ndryshon në 30 vitet e fundit dhe është një shumicë që kurrë nuk do të ndryshojë përsa kohë zoti Berisha të jetë aty. Zoti Berisha nuk krijon garë, nuk lejon gfarë në Partinë Demokratike”, është shprehur Kajsiu.

Megjithatë, politologu e shikon vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike, për të rrëzuar Berishën dhe legjitimuar lidershipin e Alibeajt, si hapin e parë për rithemelimin e kësaj force politike.

“Unë vendimin e Gjykatës së Apelit, pa hyrë në përmbajtje, e shikoj si një tjetër mundësi për Partinë Demokratike. Nuk e shikoj si fundin e rithemelimit, por si hapin e parë drejt rithemelimit. Duhet të shpjegojmë që Partia Demokratike nuk është rithemeluar. Grupi i rithemelimit nuk është rithemelues, sepse është po ai grup që e ka themeluar.

Është paradoks logjik, historik, të thuash që themeluesi është rithemelues. Aq rithemelues ishte zoti Berisha i Partisë Demokratike para një viti, sa ç’mund të rithemelonte Enver Hoxha Partinë Socialiste. Vendimi i Gjykatës së Apelit, është një tjetër mundësi që Partia Demokratike jo thjesht të rithemelohet, por të rinovohet dhe t’i ofrojë një ofertë të re qytetarëve shqiptarë, ndryshe nga 30 vitet e kaluara”, theksoi Blendi Kajsiu në Abc News.

berisha pd