Korrupsion, izolim dhe lodhje: pse dorëheqja është i vetmi akt politik i mbetur
Qeverisja e Edi Rama ka hyrë në një fazë që nuk mund të shpjegohet më me ciklet normale të konsumimit politik, por me një rrënim gradual të legjitimitetit moral dhe funksional të pushtetit. Pas më shumë se një dekade në krye të ekzekutivit, Rama nuk shfaqet më si drejtues i një projekti reformues, por si menaxher i një sistemi të mbërthyer nga kontradikta, i varur nga interesa të errëta dhe i paaftë për të prodhuar besim publik.
Pas një cikli të gjatë dominimi institucional dhe komunikativ, ajo që dikur u paraqit si projekt transformues është shndërruar në një strukturë vetëmbrojtëse, të mbyllur ndaj kritikës dhe të varur nga ekuilibra informalë që e mbajnë pushtetin në këmbë, por e boshatisin nga përmbajtja demokratike. Kjo fazë terminale nuk manifestohet përmes një kolapsi të menjëhershëm, por përmes lodhjes kronike, normalizimit të anomalive dhe një diskursi politik që flet gjithnjë e më pak për politika publike dhe gjithnjë e më shumë për armiq realë apo imagjinarë.
Në qendër të këtij rrënimi qëndron perceptimi i konsoliduar se korrupsioni nuk është më devijim, por metodë qeverisjeje. Vitet e gjata në pushtet kanë prodhuar një arkitekturë vendimmarrjeje ku interesat private, koncesionet e dyshimta, partneritetet publike-private pa transparencë dhe politizimi ekstrem i administratës janë bërë pjesë e mekanizmit qeverisës. Mungesa e përgjegjësisë politike për skandale të përsëritura ka krijuar bindjen se pushteti nuk e korrigjon më veten, por e mbron status quo-në me çdo kusht. Kur korrupsioni perceptohet si i pashmangshëm dhe i pandëshkueshëm, qeverisja humb funksionin moral përpara se të humbasë shumicën numerike.
Paralelisht, narrativa e kapjes së shtetit nga grupe kriminale dhe oligarkike ka kaluar nga akuzë opozitare në shqetësim shoqëror. Kur krimi i organizuar përmendet rregullisht si faktor elektoral, ekonomik dhe territorial, dhe kur përgjigjja e qeverisë mbetet mohimi ose relativizimi, problemi nuk është më thjesht politik, por krizë besimi. Një pushtet që nuk arrin të bindë se është i pavarur nga këto struktura, në thelb ka humbur monopolin moral të qeverisjes, pavarësisht shumicave parlamentare që zotëron.
Edhe në planin ndërkombëtar, lodhja ndaj qeverisjes aktuale është e dukshme. Retorika pro-perëndimore dhe pozicionimi formal euroatlantik nuk mjaftojnë më për të mbuluar shqetësimet reale të partnerëve strategjikë mbi korrupsionin dhe funksionimin e shtetit ligjor. Sinjalet e ftohjes politike, përdorimi i instrumenteve ndëshkuese ndaj individëve të lidhur me pushtetin dhe mungesa e entuziazmit të dikurshëm për “modelin shqiptar” kanë krijuar një lloj embargoje politike të pashpallur: Rama nuk trajtohet më si lider reformash, por si faktor stabiliteti i përkohshëm që duhet menaxhuar, jo promovuar.
Nga ana psikopolitike, sjellja publike e kryeministrit reflekton shenja të qarta të një pushteti të lodhur. Retorika ironike dhe shpesh përçmuese ndaj kritikëve, personalizimi i çdo debati dhe tendenca për ta paraqitur kundërshtimin si komplot janë simptoma të një lidershipi që nuk synon më të bindë, por të kontrollojë. Kur komunikimi politik shndërrohet në mekanizëm mbrojtjeje, qeverisja humb aftësinë për të udhëhequr.
Në këtë kontekst, dorëheqja nuk do të ishte kapitullim personal, por domosdoshmëri politike. Një largim i kontrolluar do të përbënte akt përgjegjësie ndaj një shoqërie të polarizuar, institucioneve të konsumuar dhe një procesi integrimi europian që nuk mund të mbahet peng nga mbijetesa e një lideri. Vazhdimi i epokës Rama nuk e stabilizon vendin; e ngurtëson krizën dhe e kthen normalitetin e kalbur në standard qeverisjeje./Pamfleti
me portale si puna juaj qe i sherbeni antishqiptareve, i gjati do qeveris edhe 1000 vjet
Po duhen mjete ligjore per ndrrimin e Ramës ndryshe ai s’kishte pse kandidonte per mandatin e katërt. Êshtë normale pas 3 mandatesh dhe Merkeli u mpak e u bë e lodhshme!
Frankenstein Rama.
Në një shtet demokratik,zullumi shtetëror,e qeveritar ndëshkohet me zgjedhje të parakohshme.Kur pushtetarët e një vendi nuk zbatojnë ligjet që vetë i kanë formuluar,dhe mbajnë peng zhvillimin ekonomik të vendit, zgjidhja është zgjedhje të parakohshme. Kur kryeministri i mban peng këto zgjedhje, atëherë jetojmë në një shtet diktaturë.Kjo po ndodh te ne tani.
Edi Rama dhe Fatos Nano e kanë demonstruar që para vitit 2005 se kriminelë jashtëzakonisht budallenj ishin përgjegjës për vjedhjen e mijëra hektarëve tokë dhe shkatërrimin e pyjeve dhe rezervave natyrore. Edhe më keq sot: një kriminel budalla me një bandë grash budallaqe.
Po thuni qe Rama ta dorezoj pushtetin ne tavolin dhe ta marr Berishta? A jeni ne kre ju?