TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shtator 2025, 07:22

Qeveria “Rama 4″ betohet sot në Presidencë

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria “Rama 4″ betohet sot në Presidencë
Rama-Begaj

Ceremonia e betimit zhvillohet në orën 10:00. Më pas, Rama pritet të thërrasë mbledhjen e parë të kabinetit të ri. 

Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar 'Rama 4' do të betohen sot në Presidencë. Mësohet se ceremonia e betimit para presidentit Bajram Begaj do të kryhet në orën 10:00. 

Një ditë pas miratimit të programit qeverisës dhe kabinetit të ri me 82 vota në Kuvend, në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat e rinj do të bëjnë sot betimin në Presidencë. Pas betimit, Rama pritet të thërrasë mbledhjen e parë të qeverisë së re, si në mandatet e kaluara.

Seanca e së enjtes, e parashikuar si maratonë debatesh, u ndërpre për më pak se gjysmë ore për shkak të tensioneve. Shkak u bë fjala që kryeministri “i dha” ministres virtuale Diella, gjë që solli reagimin e opozitës. Mazhoranca nuk e toleroi sjelljen kaotike të deputetëve demokratë dhe pas disa paralajmërimeve, kaloi në votim programin dhe kabinetin qeveritar.

PD kërkoi me një shkresë zyrtare në Kuvend anulimin e seancës plenare dhe përsëritjen e saj. Demokratët e konsiderojnë përdorimin e ministres virtuale nga ana e Ramës si veprim në kundërshtim me ligjin dhe si provokim ndaj opozitës. Ata argumentojnë se sjellja e tyre nuk përbënte shkelje të etikës parlamentare, por ishte një formë reagimi e përdorur edhe në parlamente të tjera, duke sjellë si shembull një rast në Parlamentin Europian.

Përveç kësaj, PD ka paralajmëruar se do të kërkojë mocion për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Ndërkohë, Komisioni i Etikës do të mblidhet sot në orën 10:00, pas kërkesës së PS për marrjen e masave disiplinore ndaj Gazment Bardhit dhe Fidel Krekës, të cilët gjatë seancës hodhën një shishe ujë dhe rregulloren e Kuvendit në drejtim të kryeministrit Rama.

Ministrat e kabinetit qeveritar:

Belinda Balluku - Zv/Kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës.
Albana Koçiu - Ministria e Punëve të Brendshme
Elisa Spiropali- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Petrit Malaj - Ministria e Financave
Blendi Gonxhja - Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit
Sofjan Jaupaj - Ministria e Mjedisit
Mirela Kumbaro - Ministria e Arsimit
Evis Sala - Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Delina Ibrahimaj - Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit
Besfort Lamallari - Ministria e Drejtësisë
Pirro Vengu - Ministria e Mbrojtjes
Andis Salla – Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ervin Demo – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor
Majlinda Dhuka –  Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë
Adea Pirdeni  - Ministre e Shtetit për antikorrupsionin
Toni Gogu - Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin

Lini një Përgjigje