Në përfundim të fjalës së tij gjatë eventit për infrastrukturën urbane, kryeministri Edi Rama përcolli një mesazh kritik për disa kryetarë bashkish, të cilët sipas tij nuk po qëndrojnë pranë komuniteteve që drejtojnë.
Pa përmendur emra konkretë, Rama tha se ka marrë shqetësime nga qytetarët për drejtues vendorë që largohen nga bashkitë gjatë javës për të qëndruar në Tiranë, edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës.
Kreu i qeverisë kërkoi që kjo praktikë të marrë fund, duke paralajmëruar se nëse situata vazhdon, në të ardhmen mund të bëjë publike edhe emrat e kryebashkiakëve për të cilët janë ngritur ankesa.
Kryeministri tha se ankesat kanë ardhur kryesisht nga bashki të jugut dhe juglindjes së vendit, veçanërisht përgjatë aksit Tiranë-Korçë.
Ai shtoi se largimi nga detyra përpara ditëve zyrtare të pushimit nuk është i pranueshëm dhe kërkoi nga drejtuesit vendorë që të adresojnë sa më shpejt këtë shqetësim të ngritur nga komunitetet që përfaqësojnë.
“Me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive, nuk dua t’i përmend këtu me emra, që janë bërë pak problem, po e them në mëyrë të butë, për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nuk janë të gjithë, janë disa. Herën tjetër do të duhet t’i përmend me emër dhe publikisht. Lënë komunitetin dhe detyrën para se të vijë momenti zyrtar i pushimit që dhe aty ha diskutim kjo punë dhe vijnë në Tiranë. Kjo s’është e justifikueshme dhe e pranueshme. Besoj që kam gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë më parë këtë shqetësim që më ka ardhur nga disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në jug e juglindje të vendit, në aksin Tiranë-Korçë, kryesisht. Nuk flas për ata të ish-PD se ata mund të rrinë në shtëpi gjithë kohës se ata si janë, si s’janë, prapë ata janë. S’e kam për Sotiraqin, as për ministrin”, tha Rama.
Lini një Përgjigje