TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Korrik 2025, 10:16

Rama "shkund" kryebashkiakët në emër të BE-së: Sfidat e reja i kanë nxjerrë në pah dobësitë pushtetit lokal

Shkruar nga Pamfleti
Rama "shkund" kryebashkiakët në emër të
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim me kryetarët e Bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit Shqipëria 2030 në BE.

Ky takim vjen në kuadër të procesit të reformave për fuqizimin e pushtetit vendor dhe përgatitjes së vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rama lëshoi një paralajmërim të qartë ndaj drejtuesve të bashkive, duke i akuzuar për mungesë vigjilence dhe performancë të dobët në një moment kyç për Shqipërinë, siç është përgatitja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Duke folur para kryebashkiakëve nga Durrësi, Rama kritikoi ashpër menaxhimin lokal të qyteteve të mëdha dhe zonave me ngarkesë të lartë turistike, duke theksuar se strukturat vendore kanë dështuar të përballen me realitetin e ri që vendi po përjeton.

"Pak kohë më parë kemi marrë 83 mandate, një rekord historik për një forcë politike që na ngarkoi me një barrë shumë të madhe se ajo që kemi pasur pasi janë një kredi besimi të madh nga ana tjetër janë edhe një test i karakterit tonë, përpara se të filloj me pikat e temave të ditës së sotme dua të bëj një adresim të përgjithshëm të disa problematikave kyçe që karakterizojnë sot qytetet e mëdha dhe qytetet me një ngarkesë të posaçme të fluksit turistik të Shqipërisë, ku dobësia e pushtetit vendos ka dalë në pah edhe si rezultat i një ndryshimi shumë të madh të gjithë mënyrës së funksionimit të vendit për shkak të faktit se vendi tanimë nuk mban vetëm banorët e vet, por edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh që vjen në rritje, sjell me vete sfida të reja të komplikuara dhe ngarkesa të mëdha ekstra për pushtetin vendor, një nga gjërat që vihet re është biznesit për të kapërcyer kufijtë e veprimtarisë në formën e daljes përtej tyre edhe të zaptimeve të territorit, ashtu edhe ndërtimeve pa leje në territore ku vëmendja është më e vogël apo si në Vlorë ku kryetari i bashkisë apo struktura i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur.", tha Rama.

Kjo deklaratë vjen në një moment kur qeveria shqiptare ka intensifikuar përpjekjet për lirimin e hapësirave publike, veçanërisht në zonat turistike dhe ato bregdetare, ku ndërtimet pa leje dhe zaptimet kanë marrë përmasa shqetësuese.

Rama sugjeroi se një pjesë e drejtuesve lokalë kanë zgjedhur të mbyllin sytë përballë këtyre zhvillimeve, duke treguar neglizhencë sistemike që po minon autoritetin dhe besueshmërinë e institucioneve vendore.

Pritet që ky takim të pasohet nga masa konkrete për rritjen e llogaridhënies së bashkive dhe përshpejtimin e reformave institucionale në nivel vendor. Rama kërkoi bashkëpunim më të ngushtë dhe më të përgjegjshëm mes qeverisë dhe drejtuesve lokalë, duke e bërë të qartë se koha për tolerancë ndaj dështimeve administrative ka mbaruar.

Lini një Përgjigje