Dosja e zezë11 Dhjetor 2023, 11:49

“Republika e Prokurorëve” më e mirë se "Republika e Hajdutëve"

Shkruar nga Gjergj Zefi
“Republika e Prokurorëve” më e mirë se
Edi Rama dhe Altin Dumani /

Edi Rama, gjatë gjithë kësaj kohe është terrorizuar nga mundësia se SPAK mund të destabilizojë me një hetim të nivelit të lartë qeverinë e tij...

Nuk është rastësi që Edi Rama zgjedh gjithmonë Kongresin e PS-së për t’i dërguar mesazh SPAK-ut. Një vit më parë, ju tha prokurorëve që të merren me kundërshtarët, pasi nëse do të ishte për ndonjë politikan apo zyrtar të lartë të mazhorancës, atë do ta çonte ‘për veshi’ në SPAK.

Siç në fakt ka ndodhur, pasi në prokurorinë Speciale, si denoncimet për Berishën e Metën, ashtu edhe ato për Arben Ahmetajn, janë përgatitur në kuzhinat e kryeministrit dhe dërguar pastaj nga mbështetës apo të afërm të tij.

Edi Rama, gjatë gjithë kësaj kohe është terrorizuar nga mundësia se SPAK mund të destabilizojë me një hetim të nivelit të lartë qeverinë e tij.

Kjo ka ndodhur që kur në Tiranë ambasadore ishte Yuri Kim, e cila ndaloi që preferenca e Edi Ramës të zgjidhet kreu i SPAK, apo deklaroi se duhet të largohen të gjithë ata zyrtarë të lidhur me krimin. Që atëherë Edi Rama i frikësohej shumë një procesi të lartë nga SPAK që mund të ndryshonte ekuilibrat e pushtetit. E ky terror nuk i ka ikur akoma, ndaj prej kohësh ka dalë me tezën se SPAK-un dhe Reformën në Drejtësi nuk e bënë amerikanët por Partia Socialiste. Që sipas tij po të mos ishte PS nuk do të ishte SPAK.

Ky konstatim i Edi Ramës nuk se është i gabuar. Pasi ishte PS që e ka mbështetur më fort se PD-ja e LSI-ja Reformën në Drejtësi.

Por kjo nuk do të thotë, që PS e formatoi këtë Prokurori Speciale që kemi sot. Pasi, siç e dimë, nëse do të ishte në dëshirën e PS-së, do të kishim njerëz të tjerë në këto poste, siç kemi edhe të afërm të udhëheqësve të PS-së në disa trupa të rëndësishme të drejtësisë.

Që nga vetingu, këshilli i Prokurorisë, KLGJ apo edhe prokuroria e Tiranës, ku janë emëruar lidhje nepotike të një deputete të PS-së, përkatësisht nënkryetare e Parlamentit.

SHBA dhe BE, kanë qenë vendimtare që të mos ndodhë një kapje finale të Edi Ramës në kupolën e drejtësisë së re, e që politika penale të mos kontrollohet 100 përqind nga mazhoranca.

Insistimi i Ramës, si drejtues i shumicës relative në vend se ai e ka bërë SPAK-ub, nuk është gjë tjetër veçse një sinjal politik drejtuar prokurorëve se ata nuk mund të godasin lart tek “Zeusi” që i ka lindur, e i ka bërë të jenë ata që janë.

Ndërkohë, në Kongresin e PS-së, Edi Rama shkoi më larg, kur tha se nuk duhet të ketë një “Republikë Prokurorësh”, pasi sipas tij të gjithë janë pjesë e Republikës së Shqipërisë, e ku gjyqësori është aq i pavarur sa ekzekutivi. Një koncept i deformuar ky; pasi ekzekutivi është aty për të administruar, kurse gjyqësori është për të dhënë Drejtësi, sipas Kodit Penal të Republikës. E këtu nuk ka përse të ketë asnjë dyshim se nëse hetohet qeveria, preket Republika. Sepse në Kushtetutë, shteti nuk është as qeveria, as mazhoranca parlamentare, e as, larg qoftë, Edi Rama.

Madje shteti më shumë është Prokuroria, e cila as nuk ndan para, as nuk administron prona. Thjesht ndjek penalisht ata zyrtarë që nuk i kanë administruar drejt paratë dhe pronat e qytetarëve. Pasi shteti, gjegjësisht sovraniteti, buron nga njerëzit, e jo nga një shumicë parlamentare, sado që ajo ta quajë veten të iluminuar apo progresiste.

Edhe juridikisht, pas ndryshimeve në Kushtetutën e Shqipërisë, me Reformën në Drejtësi, Shqipëria është më shumë një Republikë Prokurorësh, sesa një republikë politikanësh e zyrtarësh.

Pasi në Kushtetutë për herë të parë është vendosur një paragraf i veçantë e më pas një ligj organik, për një trupë prokurorësh që heton ekskluzivisht krimet e zyrtarëve të lartë.

E kjo “Republikë Prokurorësh”, edhe mund të devijojë, edhe mund të jetë e ashpër, edhe mund të mos jetë gjithmonë adekuate, por gjithsesi në frymë e gërmë është konsideruar si parandaluese, bllokuese e ndëshkuese e abuzimit të hajdutëve me mantel pushteti.

Qytetarët e dijnë mirë se “Republika e Prokurorëve” nuk është më e mira e mundshme, siç nuk ishte më e mira, madje e keqe “Republika e Terrorit” të Roberspierit në Revolucionin francez. Por kjo Republikë, zhduku madje me gijotinë teorinë «L'état, c'est moi » të Luigjit të 14. E cila u varros për të mos u përsëritur më në Perëndimin që ne duam të shkojmë.

Këtë teori e kanë shtete diktatoriale që janë monarki absolute në vepra por që me fjalë janë republika, e ku drejtësia nuk është pushtet, por një opsion.

Një Republikë Prokurorësh mund të jetë edhe ekzagjerim, por për shqiptarët është më e mirë se një Republikë hajdutësh që e konsiderojnë çdo pronë të qytetarëve si mundësi për tu pasuruar. E këtë Edi Rama e di, sepse bën sondazhe të shpeshta dhe ka parë se ai është në renditje shumë më antipopullor se Altin Dumani apo prokurorët e tjerë të SPAK. Prej të cilëve njerëzit presin një gjë: të dënojnë “Republikën e Hajdutëve”./Pamfleti 

republika e prokurorëve republika e hajdutëve