TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Nëntor 2025, 14:35

Skandali me fondet europiane, BE mban të bllokuar grantin e IPARD 3: Shqipëria nuk është gati

Shkruar nga Pamfleti

Skandali me fondet europiane, BE mban të bllokuar grantin e IPARD 3:

Komisioni Europian, përmes progress-raportit që u publikua sot, evidenton se Shqipëria nuk është ende gati për zhbllokimin e IPARD 3. Madje, sipas Komisionit Europian, fondet do të zhbllokohen kur të garantohet mbrojtja e tyre.

“Në lidhje me zhvillimin rural, është e nevojshme të rritet kapaciteti dhe mbikëqyrja për të nisur dorëzimin dhe zbatimin efikas të IPARD III, në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar. Gjatë periudhës së raportimit nuk është bërë përparim në përputhjen e legjislacionit mbi politikën e cilësisë me acquis-in e BE-së”, thuhet në raport.

Ky qëndrim i Komisionit Europian vjen në një kohë kur nga autoritetet shqiptare, veçanërisht nga AZHBR dhe Ministria e Bujqësisë, pati një abuzim lidhur me shpërndarjen e fondeve që i akordohen Shqipërisë në ndihmë të fermerëve. Në fakt fondet devijuan dhe kjo çoi në zbulimin e një skandali, i cili ende nuk po konkludohet nga institucionet e drejtësisë, përfshi edhe SPAK.

Hetimet e OLAF për programin IPARD nisën në vitin 2020, pasi shtetasi Romeo Nazarko bëri denoncimin në zyrën e antikorrupsionit të Brukselit me pretendimin se projekti i tij për të ndihmuar fermerët me arra u refuzua në mënyrë të padrejtë.

Romeo Nazarko, aplikues “IPARD” shprehet: “e kam dorëzuar pranë AZHBR-së brenda afatit kohor dhe përsëri përgjigjja ka qenë refuzuese. Dhe në refuzim shkruhej që nuk keni dokument pronësie për pronën, ndërkohë unë e kisha. Për këtë arsye i kam sqaruar dhe kam dorëzuar deklaratën noteriale ku pronari pranonte që unë kisha aplikuar. Përsëri u refuzova dhe filloi ky kalvari i gjatë.”

Tashmë kjo dosje është pjesë edhe e hetimeve të SPAK. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet, denoncuesi Romeo Nazarko vazhdon të presë arsyen e vërtetë të refuzimit nga AZHBR. Bllokimi i fondeve europiane ka sjellë ndikim negativ në zonat rurale, duke penguar zhvillimin e teknologjisë dhe standardizimin e produkteve Made in Albania.

E gjithë kjo situatë çoi në një ngrirje të fondit, e cila është reduktuar në maksimum në dy-tre vitet e fundit. 

Lini një Përgjigje