Politike17 Maj 2024, 15:57

Socialistët mbeten në dyert e SPAK/ Pas Engjëll Agaçit, Emiriana Sako merret afro 2 orë në pyetje

Shkruar nga Pamfleti
Socialistët mbeten në dyert e SPAK/ Pas Engjëll Agaçit,
Sako pas daljes nga SPAK

Pas Erion Veliajt dhe Belinda Bllukut, sot paradite u mor në pyetje Sekretari i Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Por pas tij i ka ngjitur shkallët kryebashkiakja e Durrësit...

Prokuroria e Posaçme duket se po kthehet në “shtëpinë” e socialistëve. Ditët e fundit ka qenë i lartë numri i zyrtarëve që janë marrë në pyetje dhe duket se lista do të vijojë.

Pas Erion Veliajt dhe Belinda Bllukut, sot paradite u mor në pyetje Sekretari i Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Por pas tij i ka ngjitur shkallët kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, e cila është marrë për rreth 2 orë në pyetje.

Edhe ajo si shumë socialistë ka vendosur të mbyllë gojën duke deklaruar se rasti është sekret hetimor dhe nuk mund të flasë. E vetmja gjë që tha ishte se u pyet për çështje që nuk kanë të bëjnë me detyrën e saj si kryebashkiake. "Më është kërkuar të ruaj sekretin hetimor", tha Sako.

Me gjasë edhe Sako është pyetur për aferën e inceneratorëve. Bashkia e Durrësit ka marrë vendim që mbetjet të vijnë në Tiranë.

Më herët Agaçi për mediat ai tha se u thirr për Inceneratorin e Tiranës ndërsa shtoi se të gjithë duhet të jenë në dispozicion të drejtësisë. “U thirrja si person në dijeni për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se ky nuk duhet të krijojë një lajm. Duhet të jemi në dispozicion të organeve të drejtësisë. Faleminderit!”, tha ai.

Aktualisht lidhur me inceneratorët janë në qeli ish-ministri, Lefter Koka dhe ish-deputeti, Alqi Bllako. Pak ditë më parë u thirr po ashtu kryebashkiaku Veliaj.

Ndërkohë absurdi është se bosët e inceneratorëve janë ende në arrati. Edhe pse janë dënuar me vendim nga gjykata, ata nuk dihet se nga bredhin me paratë e qytetarëve.