Politike13 Qershor 2024, 20:52

SPAK “bëhet pjesë” e fushatës, prish balancat politike para zgjedhjeve të 2025!

Shkruar nga Pamfleti

 

SPAK “bëhet pjesë” e fushatës, prish balancat
SPAK dhe politika

SPAK ka shpallur në kërkim pothuajse gjithë kupolën e krimit në vend, të cilët sa herë që kishte zgjedhje dilnin në terren dhe siguronin vota. Po në dorë të SPAK është edhe fati i Ilir Metës dhe Sali Berishës, teksa prej saj do varen dhe listat e deputetëve...

Prokuroria e Posaçme duket se po prish balancat politike para zgjedhjeve të 2025. Teksa na ndan më pak se një vit nga zgjedhjet e 2025, janë shumë emra në politikë që nuk e kanë të sigurt nëse do të jenë pjesë e garës apo jo. Fati i tyre është në dorë të SPAK.

Në javët e fundit prokuroria ka zhvilluar operacione dhe ka ndërmarrë disa veprime, që drejtpërdrejt do të ndikojnë te fushata e zgjedhjeve që i vijnë. Operacioni “Metamorfoza” u “preu krahët” shumë figurave politike të lidhura me krimin.

SPAK ka shpallur në kërkim pothuajse gjithë kupolën e krimit në vend, të cilët sa herë që kishte zgjedhje dilnin në terren dhe siguronin vota. Që nga Pëllumb Gjoka i famshëm dhe deri te Arben Ndoka. PS duket se është më e goditura në këtë mes, pasi shumica e të arrestuarve dhe emrave në kërkim njihen si mbështetës të saj.

Por në dorë të SPAK është edhe fati i Ilir Metës dhe Sali Berishës, bashkë me ta edhe i PL dhe PD. Sot Ilir Meta ngjiti shkallët e SPAK dhe pasi doli dukej shumë i tensionuar. Sinjalet janë se SPAK është drejt mbylljes së hetimeve dhe do të vijojë komunikimi i akuzave. Teksa Berisha i shpëtoi burgut për shkak të moshës, Meta mund të përfundojë në qeli. Po ashtu, masë sigurie pritet dhe për Kryemadhin. Me pak fjalë, të dy janë kartë e djegur për zgjedhjet që vijnë. Nëse SPAK vepron, atëherë mund të themi se PL shpall falimentin para zgjedhjeve.

Emër tjetër është Sali Berisha. Ai është në arrest shtëpie dhe sinjalet janë se SPAK vetëm nga vjeshta mund të bëjë mbylljen e hetimeve dhe të dërgojë Berishën në gjykatë. Kjo do të thotë se në zgjedhjet që vijnë, Berisha me shumë mundësi do të vijojë të bëjë fushatë nga ballkoni dhe padyshim që kjo do ta dëmtojë PD. Po ashtu, kjo e kufizon Berishën të jetë pretendent për kryeministër dhe me gjasë do plasë lufta mes deputetëve, edhe pse do të duhet shumë punë që PD të fitojë.

Kemi po ashtu deputetë të Kuvendit që janë nën hetim nga SPAK. Kemi ish-ministra dhe kryebashkiakë që po ashtu rrezikojnë të shkojnë drejt burgut. Vetë Rama i dha sinjalet në Asamblenë e PS se do të ndryshojë listën e kandidatëve dhe me gjasë kushdo që i ka dalë emri në dosjet e SPAK nuk do të jetë më kandidat. Për të qenë më të saktë, SPAK duket se di të ketë rol dhe te lista e re e deputetëve, por po ashtu dhe te qeveria e re, pasi padyshim emrat e akuzuar nuk do të jenë pjesë e qeverisë, kushdo qoftë partia fituese.

Na mbetet të presim e të shohim, por fatin e vendit duket se e ka SPAK. Ata vendosin nëse do marrë fund kjo kastë që udhëheq prej 33 vitesh, apo do vijojnë po të njëjtët të shtypin shqiptarët. /Pamfleti