TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shtator 2025, 17:28

Struktura e re e Kuvendit, Bardhi ankohet te ambasadat e huaja: Grusht institucional ndaj bashkëjetesës politike

Shkruar nga Pamfleti

Struktura e re e Kuvendit, Bardhi ankohet te ambasadat e huaja: Grusht

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dërguar një letër zyrtare në adresë të nëntë ambasadave në Tiranë, përfshirë atë të SHBA-së dhe Delegacionit të Bashkimit Europian, ku denoncon përpjekjet e qeverisë për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit në mënyrë të njëanshme dhe jashtë çdo standardi demokratik.

Në qendër të këtij paralajmërimi është deklarata e bërë nga Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste më 11 shtator, ku u prezantuan propozime për rritjen e numrit të komisioneve parlamentare dhe shkrirjen e Komisionit për Integrimin Europian, duke e bashkuar me atë të Punëve të Jashtme. Komisioni i ri do të drejtohet nga mazhoranca, duke përjashtuar opozitën nga roli i saj tradicional dhe i njohur në vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Ky është një devijim i rëndë nga tradita demokratike dhe praktika europiane", shkruan Bardhi, duke theksuar se në të gjitha parlamentet e rajonit, komisionet e integrimit udhëhiqen nga opozita, për të siguruar kontrollin dhe gjithëpërfshirjen në një proces që nuk mund të jetë partiak.

Ai ngre shqetësimin se ndryshimet nuk janë propozuar nëpërmjet procedurës parlamentare, por gjatë një mbledhjeje partiake, pa asnjë konsultim me opozitën apo shqyrtim në Këshillin e Rregullores, i cili sipas Kushtetutës duhet të funksionojë mbi baza konsensuale.

Çdo përpjekje për të miratuar këto ndryshime pa dialog është një grusht institucional ndaj bashkëjetesës politike në Kuvend dhe ndaj procesit të integrimit europian”, thekson Bardhi në letrën e tij, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme diplomatike.

Ai i bën thirrje përfaqësive ndërkombëtare që të nxisin mazhorancën për t’u rikthyer në tryezën e dialogut dhe për të garantuar ruajtjen e standardeve demokratike, pa të cilat integrimi europian i Shqipërisë rrezikon të degradojë në një proces formal pa përfshirje reale të spektrit politik.

Letra e Bardhit

Në 11 shtator, gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama deklaroi se një grup pune, i përbërë vetëm nga anëtarë të Partisë Socialiste, ka punuar mbi disa ndryshime që duhet të bëhen në emërtimin, përbërjen dhe drejtimin e komisioneve parlamentare. Asnjë deputet opozitar nuk ishte pjesë e këtij grupi pune, dhe as nuk u ftua që të bëhej pjesë. Propozimet e njëanshme të bëra nga kryeministri Rama përfshinin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, si dhe shkrirjen e komisionit për integrimin evropian me komisionin për punët e jashtme. Komisioni i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të drejtohet nga mazhoranca socialiste, një devijim nga tradita e gjatë parlamentare dhe praktika demokratike.

Përveç faktit se këto propozime nuk u paraqitën nëpërmjet procedurës së rregullt parlamentare, por gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ato injorojnë tërësisht modelet e vendeve të Balkanit Perëndimor, në të cilat çdo parlament ka një komision të dedikuar për integrimin evropian, i udhëhequr nga opozita (Kosova, Mali i Zi dhe Serbia). Qëllimi kryesor i këtyre komisioneve është të garantojë shqyrtimin e duhur të çdo projektligji lidhur me integrimin evropian, ashtu si edhe të sigurojë një rol domëthënës të opozitës në procesin e integrimit

Rregullorja e Parlamentit garanton bashkëjetesën demokratike të partive politike dhe çdo amendament duhet të bëhet nëpërmjet dialogut, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes. Çdo propozim duhet të shqyrtohet nga Këshilli Parlamentar i Rregullores, Mandateve dhe Etikës, i cili përbëhet nga 10 deputetë, në barazi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Ky konfigurim ka për qëllim që çdo amendament të mos miratohet nëse nuk ekziston një marrëveshje ndërpartiake. Ndërkohë që ky parim është i rëndësishëm për të gjitha ndryshimet, ai është veçanërisht i rëndësishëm për ato ndryshime që ndikojnë integrimin evropian, i cili është dhe duhet të mbetet një çështje e dakordësisë kombëtare në vend të kontrollit partiak.

Për këto arsye, me mirësjellje nxisim shkëlqesitë tuaja që të merrni parasysh këto zhvillime dhe në cilësitë tuaj si partnerë dhe miq të çmuar të vendit tonë, të inkurajoni rivendosjen e gjithëpërfshirjes dhe konsensusit në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Ruajtja e traditave demokratike nuk është vetëm një çështje me rëndësi të brendshme, por një kërkesë e domosdoshme për rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje