Në një videomesazh nga Roma, aty ku po mbahet samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka njoftuar se nga 16 marrëveshjet që pritet të firmosen sot, më 13 nëntor, plot tetë prej tyre janë në fushën e mbrojtjes.
“Mbledhja e dy qeverive në Romë është ndoshta mbledhja e parë e këtyre përmasave, një mbledhje e mirëfilltë e të dy qeverive shqiptare dhe italiane, nën drejtimin e dy kryeministrave Rama dhe Meloni, dhe është pasqyrimi i rritjes dhe dinamikës së marrëdhënieve dypalëshe gjatë gjithë periudhës së viteve të fundit, në rrafshin e investimeve italiane në vendin tonë, qoftë në rrafshin e bashkëpunimit ushtarak, apo të mbrojtjes civile. Nga 16 marrëveshje që nënshkruajmë sot, tetë prej tyre janë të fushës së mbrojtjes, industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes civile.”, tha Vengu.
Shqipëria do prodhojë anije ushtarake në Pashaliman
Vengu tha se një nga marrëveshjet më të rëndësishme është rinovimi i partneritetit ushtarak mes Shqipërisë dhe Italisë, pas tre dekadash. Por gjithashtu, janë nënshkruar dy marrëveshje mes kompanive shtetërore shqiptare KAJO dhe gjigandit italian Fincantieri, për prodhimin e anijeve ushtarake në Pashaliman, si dhe një marrëveshje tjetër me kompaninë italiane Leonardo, e specializuar në teknologji ushtarake dhe mbrojtje kibernetike.
“Pikësëpari kemi marrëveshjen e parë, pas tre dekadash tashmë, hera e parë që rinovojmë partneritetin ushtarak me Italinë, për arsye të NATO-s dhe për shumë arsye të tjera. Kemi dy marrëveshje që nënshkruhen mes dy kompanive shtetërore KAJO dhe gjigandit italian Fincantieri, për prodhimin e anijeve ushtarake dhe jo vetëm, në Pashaliman, dhe kjo është një arritje domethënëse e mbledhjes së dy qeverive. Një marrëveshje tjetër mes KAJO-s dhe një tjetër kompanie italiane, Leonardo, e specializuar në teknologji ushtarake dhe mbrojtjen kibernetike, me një fokus të veçantë kësaj radhe edhe në tryezën e dy kryeministrave.”, deklaroi ministri Vengu.
Mbrojtja civile
Ai shtoi se mbrojtja civile është një tjetër prioritet i bashkëpunimit, duke u fokusuar në sistemet e paralajmërimit të hershëm, stërvitjet dhe sistemin e qëndrueshmërisë së emergjencave civile.
“Dhe vijojmë edhe me një mbështetje domethënëse për sa i përket mbrojtjes civile. Mbrojtja civile shqiptare ka pasur një bashkëpunim, do të thoja, të shkëlqyer me mbrojtjen civile italiane, dhe këtë partneritet duam ta çojmë në një nivel akoma më të lartë, për të gjitha sistemet e paralajmërimit të hershëm, të stërvitjes dhe të gjithë sistemit të qëndrueshmërisë së emergjencave civile të vendit tonë, si dhe detyrimit që buron nga BE për të pasur edhe ne numrin europian 112, ku të gjithë qytetarët shqiptarë apo vizitorët në vendin tonë mund t’i referohen për çdo emergjencë që mund të kenë.
Pra, në gjithë spektrin e bashkëpunimit, mbrojtja, industria ushtarake dhe mbrojtja civile janë kryefjala e këtij bashkëpunimi. Qoftë Italia, qoftë Shqipëria, qoftë të gjitha vendet e NATO-s, në fakt janë në një fazë ku kanë një rritje të buxheteve të mbrojtjes, atë që diskutuam së bashku me kolegun Crosetto, i cili është një nga kolegët që ka një vëmendje të posaçme ndaj Shqipërisë dhe partneritetit mes dy vendeve, dhe dua ta falënderoj.”, shtoi ministri.
Në këtë samit, priten të nënshkruhen edhe marrëveshje në fusha të tjera kyçe si energjia, emigracioni, shëndetësia, infrastruktura dhe arsimi profesional.
Po ashtu në këtë samit do të diskutohet edhe marrëveshja për menaxhimin e emigracionit me qendrat në Shëngjin dhe Gjadër, si dhe projekti për linjën nënujore energjetike që lidh Shqipërinë me Italinë për eksportin e energjisë së rinovueshme, që e përmendi më herët, ministrja Belinda Balluku.
Në agjendë janë përfshirë edhe çështje të politikës europiane dhe ndërkombëtare, me fokus në luftën në Ukrainë dhe mbështetjen italiane për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Lini një Përgjigje