
Një ditë pas aludimeve të publikuara në media, ku pretendohej se ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë kishte ndërhyrë në raportin paraprak të OSBE-ODIHR për të hequr emra personash të përfshirë në krime zgjedhore, përfshirë figura të botës së krimit dhe zyrtarë të policisë, Silvio Gonzato zhvilloi një takim me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi.
Pas takimit, ambasadori Gonzato reagoi publikisht duke i mohuar kategorikisht akuzat dhe duke nënvizuar se BE-ja nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Bashkimi Europian as nuk ndërhyn dhe as nuk manipilon. Lajmi se ne kemi ndërhyrë në raportin e ODIHR është plotësisht i pavërtetë. ODIHR është një organizatë e pavarur dhe vepron në mënyrë të pavarur; ne nuk mund të ndërhyjmë në raportet e tyre. Ne besojmë tek ODIHR, i cili është përgjegjës për monitorimin e procesit”, deklaroi Gonzato.
Gonzato theksoi se roli i BE-së është të ndihmojë Shqipërinë në procesin e integrimit, duke sqaruar se ndodhen këtu për të ndihmuar Shqipërinë, jo për të manipuluar.
Ai gjithashtu e vlerësoi punën e SPAK, duke theksuar se lufta kundër krimit të organizuar është një pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Lini një Përgjigje