
Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion mbi 5 mijë efektivë për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë ditës së votimit.
Ndërsa qytetarët votojnë, SPAK, BKH dhe forcat policore kanë “zbarkuar” në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe parandalimin e krimeve zgjedhore. Prokurorët e SPAK do të jenë në çdo qark të vendit, kryesisht në zonat të cilat konsiderohen të nxehta si Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Lezha.
Policia ka angazhuar mbi 5 mijë punonjës në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Gjatë votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.
Në orën 18:00, shërbimet e policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.
Në bashkëpunim me OSCE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët u angazhuan për hetimin e krimeve zgjedhore. Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Në mbarë vendin janë ngritur 5,225 qendra votimi. Në rang vendi, vetëm në njësinë nr 10 dhe në bashkinë Vorë, votimi do të bëhet në mënyrë elektronike. Të drejtën e votës sot e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.
114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë këtë të dielë. Ndërkohë që 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda.
Në fletën e votimit, shqiptarët do të gjejnë kësaj radhe 11 subjekte politike, ku 3 janë koalicione, dhe 9 janë parti që garojnë të vetme.
Lini një Përgjigje