Ditën e hënë ish kryeministri, Sali Berisha do të jetë në Kukës, ku do të prezantojë kandidatin për bashkinë e Kukësit, Emri Vata.
Njoftimi është bërë nga stafi i kandidatit të bashkisë Kukës, Emri Vata.
Takimi do të zhvillohet në orën 17:00 tek Pallati i Kulturës ‘Hasan Prishtina’.
"Të nderuar qytetarë, simpatizantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike.
Ju njoftojmë se, ditën e Hënë me datë 11.09.2023 , ora 17.00 tek Pallati i Kulturës ‘Hasan Prishtina’, do të bëhet hapja e fushatës.
Në këtë takim merr pjesë dhe kryetari Partisë Demokratike të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha.
Të gjithë së bashku t'i kthejmë dinjitetin Kukësit!"-shkruan kandidati Vata.
Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha vendosi të mos dalë me kandidat në zgjedhjet e pjesshme në Kukës.
Gjatë fjalimit të mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Basha tha se është hera e fundit që PD nuk ka kandidat për zgjedhje.
“Dëshmi e kostove që ngjarjet brenda nesh kanë prodhuar, janë edhe zgjedhjet e Kukësit. Ne respektuam vullnetin e Degës së Kukësit për të mos nxjerrë kandidat, sepse është dhe përgjegjësia jonë, e të gjithëve bashkë, që për një kohë të gjatë u morëm me luftën me njëri-tjetrin dhe jo me ringritjen dhe riorganizimin e partisë.
Sot përfundojmë plotësimin e strukturës dhe të gjithë, pa përjashtim, me mua të parin, duhet të jemi në terren për të ringritur partinë dhe për të qenë gati, kudo dhe kurdo për përballje elektorale”-tha Basha.
Ndërsa Albert Halilaj është kandidati me të cilin socialistët synojnë të marrin sërish drejtimin e bashkisë së Kukësit.
Zgjedhjet e reja do të zhvillohen në 24 shtator, pasi ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici u arrestua para disa javësh me kërkesë të SPAK, pasi ai ishte vënë nën hetim në momentin e publikimit të një videoje intime të tij me një vajzë në ambientet e zyrës në bashki.
Gjici dyshohet se po kryente korrupsion me një tender dhe pas verifikimeve në bashkinë e Kukësit. Pas publikimit të videos, Safet Gjici dha dorëheqjen nga detyra duke thënë se ishte pre e një kurthi dhe se ishte treguar mendjelehtë ndërsa kishte patur një lidhje intime me vajzën që u shfaq në video.
Safet Gjici sapo kishte fituar zgjedhjet lokale më 14 maj dhe priste që të rimerrte zyrtarisht detyrën në krye të bashkisë.
Lini një Përgjigje