
Partia Demokratike e ka cilësuar zjarrin e ndodhur një ditë më parë në një pallat në Tiranë si pasojë të një modeli të dështuar të zhvillimit urban.
Në një deklaratë publike, anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, u shpreh se ngjarja “nuk është një rastësi tragjike”, por lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si janë dhënë lejet e ndërtimit ndër vite.
“Është pasojë direkte e një modeli të dështuar zhvillimi urban, ku për vite me radhë janë dhënë leje ndërtimi pa standarde, pa kontroll dhe pa respektuar sigurinë minimale të qytetarëve”, deklaroi ai.
Sipas Muçollarit, problematikat lidhen edhe me cilësinë e ndërtimit dhe materialeve të përdorura, duke theksuar se në shumë raste prioritet i është dhënë pamjes së jashtme të godinave.
“Në vend të standardeve reale të sigurisë, është ndërtuar një kulturë fasadash. Pallate që duken bukur nga jashtë, por që në thelb nuk garantojnë as minimumin e sigurisë për banorët”, u shpreh ai.
Ai shtoi se ky model zhvillimi ka sjellë një qytet me densitet të lartë dhe rreziqe të shtuara për sigurinë urbane.
“Ky model ka prodhuar një qytet të mbingarkuar, me densitet të lartë dhe me rreziqe të shtuara për sigurinë urbane”, tha Muçollari.
Në deklaratë, përgjegjësia për situatën cilësohet si politike dhe institucionale. Përfaqësuesi i PD-së akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.
“Përgjegjësia nuk është vetëm teknike. Ajo është politike dhe institucionale”, theksoi ai, duke shtuar se “deklarata e kryeministrit është një tentativë për të fshehur përgjegjësin e vërtetë, që në fakt është vetë ai”.
Muçollari ngriti shqetësime edhe për kapacitetet e reagimit ndaj emergjencave.
“Fakti që për një zjarr në një pallat mobilizohen struktura nga disa bashki tregon qartë mungesën e kapaciteteve”, deklaroi ai.
Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe të pavarur për ngjarjen, verifikim të materialeve të përdorura në fasadat e pallateve, auditim të lejeve të ndërtimit, si dhe rritje të kapaciteteve të shërbimeve të emergjencave.
Në përfundim, PD e konsideron situatën si një moment që kërkon reflektim të menjëhershëm.
“Modeli i fasadës ka dështuar. Ndryshimi i kësaj qasjeje është domosdoshmëri”, përfundoi Muçollari.
Lini një Përgjigje