Kosova 1 Maj 2023, 08:48

I njohur si komandant “Ujku”, nis sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë

Shkruar nga Pamfleti
I njohur si komandant “Ujku”, nis sot gjykimi ndaj Pjetër

Sot Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vijojnë gjykimin ndaj Pjetër Shalës, i njohur si Komandant “Ujku”, me dëgjimin e dëshmitarëve të Prokurorisë.

Seanca ndaj tij pritet të nisë nga ora 9:30 sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Janë tre dëshmitarë, të cilët pritet të japin dëshmitë e tyre përmes video LIVE.

Pjetër Shala pretendohet se ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala janë kryer përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge, dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt 2023, ku u deklarua i pafajshëm, ndërsa Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse. Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte, ka deklaruar se ka luftuar kundër një makinerie policie ushtarake të një regjimi kriminal të Slobodan Millosheviçit, por kurrë kundër civilëve.

pjetër shala hage