
Më 3 prill nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gregory Kehoe, avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, tri ditë para nisjes së procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka thënë se pret një gjykim të gjatë. Por, ai beson se mbrojtja do të jetë në gjendje që ta tregojë rolin e Thaçit në luftën për liri për njerëzit e Kosovës.
“Kjo do të vërtetohet në përfundim të gjykimit dhe Thaçi do të shfajësohet nga të gjitha akuzat”, shprehet i bindur Kehoe në një intervistë për mediat në Kosovë.
“Për atë që ka bërë gjatë luftës dhe pas luftës, kur KFOR dhe UNMIK erdhën në Kosovë, në qershor 1999. Ishte ai që i nxiti të gjitha këto njësi që të punojnë së bashku, ishte ai që punoi për njerëzit e Kosovës për pajtim ndëretnik e që t’i jepej fund dhunës. Ishte ai që e bëri këtë gjë pa pushim. Nuk ishte askush tjetër aty që ta bënte këtë, përveç Hashim Thaçit dhe ne do ta vërtetojmë këtë”, ka theksuar avokati amerikan.