TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Shkurt 2026, 13:59

Parada ushtarake në Prishtinë, Kurti: Nuk i mbyllim sytë para padrejtësive

Shkruar nga Pamfleti
Parada ushtarake në Prishtinë, Kurti: Nuk i mbyllim sytë para
Albin Kurti

Albin Kurti foli në parakalimin e FSK-së dhe Policisë për proceset në Hagë, zhvillimin e ushtrisë dhe forcimin e sigurisë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se edhe në një ditë feste, institucionet nuk anashkalojnë çështjet që i konsiderojnë të padrejta.

Në ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ai tha se disa nga drejtuesit e luftës çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë dhe po përballen me procese gjyqësore jo transparente.

“Disa nga drejtuesit e luftës tonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë të rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare dhe antikolonialiste, një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur, dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshohet asnjëherë nga askush dhe nga asgjë”, tha Kurti.

Ai e lidhi përvjetorin e pavarësisë me përpjekjet e mëhershme për liri, duke theksuar se shtetësia nuk nisi para 18 vitesh, por u formësua ndër breza.

“Me luftën e drejt të UÇK-së e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit i dha fund një regjimi shtypës dhe hapi rrugë shtetësisë”.

Kryeministri tha se institucionet përulen para dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

“Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, por themelet e Republikës”.

Kurti deklaroi se Kosova e vitit 2026 është më e fortë dhe më e sigurt krahasuar me periudhën e shpalljes së pavarësisë. Ai tha se në vitet e fundit janë rritur shpenzimet për ushtrinë dhe është shtuar numri i pjesëtarëve të FSK-së.

Investimi për blerje të pajisjeve është mbi 450 milionë euro, investime këto të drejtpërdrejta në armatim modern, automjete ushtarake, municion të mjaftueshëm dhe sisteme të komunikimit. Ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe 5 vendbanime të reja në lokacione strategjike dhe jemi duke investuar në zhvillimin e zonës kryesore të trajnimit në Babaj të Bokës në Gjakovë, si dhe në ndërtimin e infrastrukturë në të gjitha kazermat”, tha ai.

Ai bëri të ditur se ka nisur zhvillimi i industrisë së mbrojtjes.

“Filluam zhvillimin e industrisë së mbrojtjes me fabrikën e prodhimit të municioneve dhe projekte të tjera që po vijnë që do të kontribuojnë në vetë qëndrueshmërinë e institucioneve të sigurisë, por edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Kurti theksoi zgjerimin e partneriteteve strategjike me SHBA dhe vendet e NATO-s, si dhe forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kroacinë për sigurinë rajonale.

“FSK po zhvillohet si një ushtri profesionale e gatshme për të mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve të Kosovës”.

kurti prishtine parade

Lini një Përgjigje