Ceremonia qendrore u mbajt pranë obeliskut New Born, ku presidentja Vjosa Osmani foli për sakrificën dhe detyrimin për drejtësi
Kryeqyteti i Kosovës festoi 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë me aktivitete zyrtare dhe marshim të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në rrugët kryesore.
Njësitë e FSK-së dhe Policisë parakaluan në prani të qytetarëve që dolën për të ndjekur ceremoninë. Organizimi qendror u zhvillua pranë obeliskut New Born, simbol i shpalljes së shtetësisë në vitin 2008.

Presidentja Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e FSK-së, e vendosi fjalimin e saj në kontekstin historik të vendit ku u mbajt ceremonia. Ajo theksoi domethënien e rrugës “Luan Haradinaj” dhe lidhjen e saj me luftën çlirimtare.
“Në këtë përvjetor domethënës jemi në rrugën ‘Luan Haradinaj’ e cila mbanë emrin e një luftëtari të shquar, një heroi të Ushtrisë Çlirimtare, një emër që na kujton se ky shtet u ndërtua nga guximi i atyre që zgjodhën të mos heshtim përballë padrejtësisë. Gjaku i tyre qëndron në themelet e shtetit tonë të pavarur e sovran.
Pak metra nga këtu qëndron monumenti Heroinat, një kujtesë e fuqishme, por edhe e dhimbshme. Për afër 20 mijë gra të dhunuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë gjatë luftës së vitit 1998-1999. Ai monument na kujton se plagët që lufta la pas, dhimbet që nuk shihen gjithmonë, por që jetojnë gjatë në ndërgjegjen tonë kolektive, nuk do të harrohen kurrë. Na kujton se liria ka çmim të lartë dhe se drejtësia për mijëra të vrarë, përfshirë edhe fëmijë mbetet një obligim i përhershëm i yni”, tha Osmani.

Ajo e lidhi përvjetorin me procesin e shtetndërtimit, duke theksuar se sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së dhe përvoja e luftës përbëjnë pjesë të pandarë të historisë së shtetit.
“Prandaj, në hapësirën ku lindja e shtetit, sakrifica e të gjithë luftëtarëve të UCK-së dhe plagët e luftës qëndrojnë bashkë, kujtojnë përpjekjet e brezave që u vulos pikërisht në shkurtin e vitit 2008. Sot para jush qëndron një Republikë 18 vjeçare e lindur nga sakrifica, e ushqyer nga qëndresa dhe e forcuar nga shpirti i popullit të saj, nga secili prej jush. Kosova është shtet i lirë, i papërkulur, i vendosur për ta mbrojtur lirinë e vetë në çdo pëllëmbë të saj. Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane, e guximshme, e fortë dhe me miq të shumtë”, deklaroi Osmani.

Ceremonia u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe nën masa të organizuara sigurie.
Lini një Përgjigje