Kosova28 Maj 2023, 14:57

“Presim veprim nga KFOR-i”, Vuçeviç paralajmëron Kosovën: Serbia nuk do ta lejojë askënd t’i kalojë vijat e kuqe

Shkruar nga Pamfleti

“Presim veprim nga KFOR-i”, Vuçeviç paralajmëron

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç është shprehur se pret një veprim “më vendimtar” nga KFOR-i pas ngjarjeve në veri të Kosovës.

Vuçeviç ka shtuar gjithashtu se situata në Kosovë ditën e sotme paraqitet e qetë, por nuk përjashtohet mundësia që tensionet mund të shpërthejnë në çdo moment.

“Situata në Kosovë sot në mëngjes është e qetë, në dukje e qetë sepse mund të shpërthejë në çdo moment, pasi tensioni është në maksimum. Është e rëndësishme nëse serbët arrijnë të shprehin në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh me ta, veçanërisht në katër komunat në veri, pa përshkallëzim të mëtejshëm. Kurti po punon për pastrimin etnik të Kosovës nga serbët dhe kjo është agjenda e tij kryesore, është një formë presioni ndaj serbëve në Kosovë, të cilëve u thuhet se nuk mund të qëndrojnë në veri”, tha Vuçeviç.

Duke iu referuar deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç se ushtria serbe nuk po përgatitet të ndërhyjë në Kosovë, por të jetë e gatshme për të gjithë skenarët, Vuçeviç tha se Serbia nuk do ta lejojë askënd t’i kalojë vijat e kuqe.

Në lidhje me Listën Serbe e cila kërkoi që të ndërpritet dialogu Kosovë-Serbi derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i tërheqë forcat speciale dhe kryetarët e komunave, Vuçeviç tha se e kupton qëndrimin e tyre. 

kfor vucevic kosove serbia