
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka marrë sërish në mbrojtje kriminelët që sulmuan policinë e Kosovës. Ai ka dalë në mbrëmje në një intervistë, duke deklaruar se ata nuk janë aspak kriminele dhe terroristë. Vuçiç vijon i qëndron retorikës se fajtor është Kurti për atë që ndodhi. Megjithatë ai pranoi se Beogradi prej një viti ka pasur informacione se po përgatitej rezistencë në Veri.
“Për mua si president i Serbisë ata njerëz nuk mund të jenë terroristë. A mund ta justifikojë vrasjen e një polici... nuk ka asnjë justifikim dhe për këtë autoritetet shtetërore do të ndërmarrin hapa”, tha ai.
Vuçiç tha se tani ka më shumë informacione sesa në ditën kur ndodhi sulmi, kur iu drejtua publikut në Serbi.
“Ne do të kërkojmë që të na i tregojnë pamjet me dron se si u vra polici. Nuk ishte një vrasje e planifikuar”, tha ai. Më tej Vuçiç ju përgjigj edhe Ramës, i cili kritikoi shpalljen e ditës së zisë për viktimat.
“Edi Rama nuk po thoshte të vërtetën. Mendoj se është një vendim qytetërues, një vendim serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiç.
Nga ana tjetër ai pranoi se krimineli Radoiçiç ndodhet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.
“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiç tha se Radoiçiçi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.
Kosova ka akuzuar Radoiçiçin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.
“Millan Radoiçiç kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij... në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai.
“Ai e konsideron veten luftëtar të lirisë, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga shokët e tij dhe kurrë nuk do ta bëjë, por ka gjëra dhe pyetje që ai duhet t’iu përgjigjet”, tha presidenti serb.
Kur u pyet për qëllimin e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, Vuçiç tha: “Si mund ta di këtë, por jam i sigurt se ata shkuan të ruanin shtëpitë e tyre dhe u përgatitën për sulme në të ardhmen”.