Kosova31 Maj 2023, 16:31

Studentët kundër planeve “djallëzore”: Emri i universitetit “Hasan Prishtina” nuk duhet të ndryshojë

Shkruar nga Pamfleti

Studentët kundër planeve “djallëzore”: Emri i

Mbi tre mijë nënshkrime janë mbledhur nga studentët për peticionin “Mos ma prek Hasan Prishtinën”. Ata kanë dorëzuar këtë peticion në Rektorat, me kërkesën që të mos largohet emri i Hasën Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës. Studentët do të presin përgjigje deri në fund të javës, në të kundërtën kanë paralajmëruar edhe masa të tjera në shenjë kundërshtimi.

Përfaqësuesi i grupit të studentëve, Arbër Gecaj, ka thënë se kërkesat për mbledhjen e nënshkrimeve i kanë vendosur në disa njësi akademike.

Kemi pasur disa hapa që nga momenti që e kemi marrë vesh këtë iniciativë që po jetësohet largimi i emrit të Hasën Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës. Ne fillimisht i kemi drejtuar disa shkresa rektoratit, komisionit i cili merret me këtë punë dhe senatit të UP-së, ku i kemi treguar kundërshtimet tonë dhe kemi kërkuar sqarime se pse po duhet të ndërrohet. Sepse ne nuk kemi dalë ashtu menjëherë kundër, ne kemi kërkuar sqarime se pse po ndërrohet. Nuk kemi marrë sqarime, pastaj kemi bërë një aksion simbolik para rektoratit, përsëri nuk kemi pasur asnjë reagim. Kemi paralajmëruar peticionin para se ta mbajmë dhe kemi kërkuar prapë reflektim nga instancat e UP-së që të mos shkojnë me këtë masë, nuk kemi pasur reagim”, ka thënë ai para gazetarëve.

Sipas tij, pas reagimit publik ka mbetur pezull ndryshimi i emrit të Universitetit të Prishtinës.

Kemi marrë mbi tre mijë nënshkrime që e mbështesin këtë iniciativë. Por çfarë ka qenë më e habitshmja është se një masë e madhe e studentëve, nuk e kanë pasur fare, nuk kanë qenë fare në dijeni që po bëhet ky ndryshim. Kjo tregon që është bërë fshehurazi, është tentuar të bëhet shumë shpejtë, në mënyrë që kur ne ta marrim vesh, të jetë e përfunduar gjithçka. Presim një reflektim nga ana e rektoratit. Ne edhe në shkresën që i kemi bashkuar peticionit, e kemi cekur që në qoftë se nuk ka ndonjë reagim brenda kësaj jave një përgjigje, ne nuk po kërkojmë që përgjigja të na përshtatet neve, nëse nuk ka një të tillë ne nga java e ardhshme do të marrim masa të tjera, përfshirë grevën por edhe bllokimin e rektoratit por edhe njësive të tjera akademike”, shtoi Gecaj pas dorëzimit të peticionit.

hasan prishtina