
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se takimi i Ohrit është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshje mbi planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Ai theksoi se kjo është një marrëveshje e përkohshme që i ripozicionon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, derisa nënvizoi se nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i kamotshëm i ShBA-së, se marrëveshja përfundimtare duhet të përmbajë njohjen reciproke, mirëpo tha se aktualisht një gjë e tillë nuk është e mundur.
Sipas tij, palët në dialog duhet të përqendrohen edhe te zbatimi i planit të BE-së për dialogun, pasi tha se ShBA-të vlerësojnë se momentalisht nuk ka marrëveshje më të mirë në tavolinë.
“Ajo që po negociohet është një aneks që do të flasë për çështjen kritike se si të zbatohen këto parime dhe si të bëhet kjo në mënyrë efektive, dhe ky është fokusi ynë kryesor, një zbatim i suksesshëm dhe efektiv. Duhet të jem i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk vlerësojnë se një marrëveshje më e mirë është e disponueshme në këtë moment, ose është në dispozicion në këtë moment. Ky është një hap i rëndësishëm përpara, është një mundësi e jashtëzakonshme, avancon stabilitetin rajonal, ripozicionon marrëdhëniet Kosovë-Serbi në një status quo shumë më të mirë. Është një marrëveshje e përkohshme, dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm prapa dhe me një pozicion që e kemi mbajtur për vite me radhë, se ne kërkojmë një marrëveshje përfundimtare që përfundimisht të përqendrohet në njohjen reciproke”, shtoi ai.
Sipas ambasadorit amerikan, plani i BE-së për dialogun nuk përmban njohjen de-jure mes dy vendeve, por njohja reciproke duhet të ndodh në marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.
Lini një Përgjigje