TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Prill 2026, 12:00

Vrasja e Liridona Ademajt, avokati i familjes: Dënimi i vetëm është burgimi i përjetshëm

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Liridona Ademajt, avokati i familjes: Dënimi i vetëm
Vrasja e Liridona Ademajt, avokati i familjes

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Gjatë seancës gjyqësore, avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, argumentoi se provat e administruara gjatë procesit kanë konfirmuar qëndrimin e ngritur që në fillim të hetimeve, se bëhet fjalë për një krim të rëndë të planifikuar dhe të realizuar në bashkëpunim.

Sipas tij, përgjatë të gjitha seancave, përfshirë edhe fazën e mbrojtjes, është vërtetuar se vetë të akuzuarit kanë kontribuar në zbardhjen e ngjarjes, përmes deklarimeve të ndërsjella dhe elementëve që kanë dalë nga hetimi.

Ai theksoi gjithashtu se tentativa e mbrojtjes për të zhvendosur përgjegjësinë tek Naim Murseli nuk ka qenë e suksesshme, ndërsa vlerësoi rolin e hetuesve policorë, të cilët përmes videoincizimeve kanë mundësuar dokumentimin e plotë të takimeve dhe komunikimeve mes të akuzuarve.

Në argumentimin e tij, Syla e cilësoi rastin si të pazakontë për shkak të kohëzgjatjes së planifikimit, duke theksuar se, sipas provave, tre persona kanë organizuar për rreth një vit vrasjen e një gruaje dhe më pas kanë tentuar të shmangin përgjegjësinë.

Në këtë kuadër, ai nënvizoi se për një krim të tillë nuk mund të ketë tjetër dënim përveç burgimit të përjetshëm, duke kërkuar nga trupi gjykues të japë vendimin maksimal ndaj të tre të pandehurve.

“I nderuar trup gjykues, të pranishëm, sot flasim në emër të asaj që nuk është këtu, flasim në emër të fëmijëve të saj, të familjes së saj dhe në emër të gjithë popullit shqipfolës e përtej tij që ka bashkëndjenjë me këtë rast. Që nga seanca e shqyrtimit fillestar e në secilën seancë, duke përfshirë edhe dhënien e mbrojtjes, në secilën seancë është argumentuar ajo që kemi thënë në fillim se ky krim makabër do të zbardhet nga vetë të akuzuarit, qoftë duke akuzuar njëri-tjetrin ose bashkëpunim.

Mbrojtja e Kokallës dhe Plavës iu a morën Naim Murselit, por nuk ia arritën. Kemi qenë me fat që kemi pasur një ekip hetuesish policor që përmes videoincizimeve na kanë mundësuar të kemi gjithë pamjen e takimeve të tyre.

Kurrë s’kemi pasur rast, kur tre burra një vit planifikojnë të vrasin një grua e pastaj tentojnë të shfajësohen. Nuk ka dënim maksimal më shumë se burgimi i përjetshëm, andaj asgjë më pak nuk duhet në këtë rast”, u shpreh Syla.

Lini një Përgjigje