Karriera e Tiger Woods, një prej emrave më të mëdhenj në historinë e golfit me 15 tituj madhorë, është shoqëruar jo vetëm me suksese të jashtëzakonshme, por edhe me episode të përsëritura që kanë vënë në pikëpyetje imazhin e tij publik.
Pavarësisht famës globale dhe kontratave marramendëse, rrugëtimi i 50-vjeçarit nga Kalifornia është trazuar herë pas here nga incidente jashtë fushës së lojës, që nga problemet personale deri te përplasjet me ligjin.
Rasti më i fundit raportohet të ketë ndodhur së fundmi, në Jupiter Island, Florida, ku Woods u përfshi në një aksident rrugor. Ai humbi kontrollin e automjetit të tij gjatë një parakalimi në një segment të ngushtë rruge, duke përfunduar i përmbysur. Edhe pse nuk pësoi lëndime serioze, situata mori tjetër drejtim pasi refuzoi të kryente testin për substanca narkotike, një shkelje që konsiderohet e lehtë në shtetin e Florida. Testi i alkoolit rezultoi negativ, por autoritetet dyshojnë për përdorim të mundshëm të medikamenteve.
Golfisti u mbajt për disa orë në paraburgim dhe më pas u lirua, ndërsa përballet me disa akuza që lidhen me drejtimin nën ndikim dhe refuzimin e testimit.
Kjo nuk është hera e parë që Woods përballet me probleme të tilla. Në vitin 2017, ai u gjet nga policia në gjendje të rënduar brenda makinës së tij, me motorin ndezur, pranë banesës. Vetë ai deklaroi se kishte qenë një reagim i padëshiruar ndaj një kombinimi ilaçesh të përshkruara, ndërsa analizat konfirmuan praninë e disa substancave në organizëm.
Megjithatë, goditja më e madhe për imazhin e tij erdhi në vitin 2009, kur shpërtheu skandali i tradhtive bashkëshortore ndaj ish-bashkëshortes së tij, Elin Nordegren. Zbulimet për jetën e tij private tronditën opinionin publik dhe çuan në një divorc të bujshëm në vitin 2010, i cili u raportua se i kushtoi rreth 125 milionë euro.
Po atë periudhë, një aksident i pazakontë automobilistik, ku Woods u shpëtua nga ish-bashkëshortja, shtoi edhe më shumë vëmendjen mediatike mbi të.
Problemet fizike kanë qenë një tjetër sfidë e vazhdueshme. Në vitin 2021, ai u përfshi në një aksident të rëndë që i rrezikoi seriozisht këmbën, pas frakturave të shumta. Ndërhyrjet kirurgjikale dhe rikuperimi i gjatë ngritën pikëpyetje mbi rikthimin e tij në sport.
Përveç kësaj, dëmtimet kronike, sidomos në shpinë dhe tendinën e Akilit, e kanë detyruar të kryejë disa operacione ndër vite, duke shtuar spekulimet për përdorimin e analgjezikëve për të përballuar dhimbjet dhe për të ruajtur konkurrueshmërinë.
Megjithatë, pavarësisht ulje-ngritjeve, Woods mbetet një figurë ikonike në sport. Sipas Forbes, pasuria e tij vlerësohet rreth 2 miliardë euro, duke e renditur ndër sportistët më të pasur në botë.
Lini një Përgjigje