Televizioni publik austriak ORF u përfshi në një skandal të papritur vetëm dy muaj para Konkursit të Këngës në Eurovision, i cili këtë vit do të organizohet nga po ky institucion.
Drejtori i përgjithshëm i ORF, Roland Weissmann, dha dorëheqjen pas ngritjes së akuzave për ngacmim seksual, të cilat ai i mohon me forcë. ORF konfirmoi të hënën se 57-vjeçari është larguar menjëherë nga pozicioni i tij, duke theksuar rëndësinë e një hetimi të shpejtë dhe transparent, ndërsa e falënderoi për tre dekada punë në kompaninë mediatike.
Avokati i Weissmann, Oliver Scherbaum, deklaroi se Bordi Mbikëqyrës i ORF e informoi Weissmann-in vetëm kohët e fundit për akuzat, të cilat dyshohet të lidhen me fillimin e mandatit të tij në vitin 2022. Sipas Scherbaum, Weissmann iu dha një afat shumë i shkurtër për të dhënë dorëheqjen dhe nuk ka marrë ende informacion të plotë mbi pretendimet.
“Për të shmangur dëmtimin e kompanisë, ai ishte i përgatitur të bënte lëshime të rëndësishme dhe për këtë arsye dha dorëheqjen menjëherë”, tha avokati. Megjithatë, ai theksoi se publikimi i parakohshëm i akuzave nga ORF shkel të drejtat personale të Weissmann dhe ka njoftuar mundësinë e fillimit të procedurave ligjore.
Lini një Përgjigje