Reperja e njohur me famë botërore, Nicki Minaj, ka befasuar sërish opinionin publik me një deklaratë të fortë pro Donald Trump, duke e cilësuar veten si “ndoshta fansja numër një e tij” dhe duke theksuar se kjo bindje nuk do të ndryshojë kurrë.
Minaj u ngjit në skenë përkrah presidentit amerikan gjatë një ngjarjeje në Uashington të dedikuar për nismën “Trump Accounts”, një program që synon mbështetjen e fëmijëve amerikanë, ku ajo premtoi kontribut privat. Në fjalën e saj, këngëtarja theksoi se “urrejtja dhe çfarëdo që thonë të tjerët nuk më prek aspak. Përkundrazi, më shtyn ta mbështes edhe më shumë.”

Me tone emocionale, Minaj iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit: “Zoti e mbroftë. Amin”. Më tej, Trump, në stilin e tij të njohur, mbajti për dore këngëtaren, ndërsa një tjetër folës po mbante fjalim, dhe me ironi shtoi se do donte “të rritte thonjtë” për t’i ngjarë ikonës së skenës rap, e njohur për manikyrët ekstravagantë.
Minaj, e vetëshpallur “Mbretëresha e rap-it”, ka thyer rekorde shitjesh ndër vite me hite si Starships dhe Anaconda, dhe së fundmi është pozicionuar hapur në lëvizjen MAGA – Make America Great Again, duke u kthyer në një nga zërat më të spikatur të mbështetjes së Trumpit në botën e muzikës.
Pavarësisht se në vitin 2018 ajo e kishte kritikuar ashpër presidentin republikan për politikën e tij të ashpër kundër emigrantëve, sot Minaj duket se ka ndryshuar pozicion.
Lini një Përgjigje