
Distria Krasniqi vazhdon të shkruajë histori për sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Xhudistja kosovare ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke dominuar konkurrencën dhe duke konfirmuar statusin e saj mes më të mirave në botë.
Rrugëtimi i Krasniqit në këtë turne nisi nga raundi i dytë, pasi raundin e parë e kaloi pa luftë falë renditjes së lartë në klasifikimin botëror. Në ndeshjen e parë, ajo u përball me francezen Alicia Markuez, të cilën e dominoi plotësisht nga fillimi deri në fund, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale.
Në këtë fazë, xhudistja kosovare pati një duel të vështirë ndaj brazilianes Larisa Pimenta. Pas një përballjeje të fortë dhe të baraspeshuar, Krasniqi arriti të fitojë në kohën shtesë, duke siguruar kalimin në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale, ajo u përball me një tjetër xhudiste vendase, Amandin Bushard, të cilën e mposhti për të siguruar finalen e madhe. Në ndeshjen për medaljen e artë, Distria Krasniqi nuk la vend për befasi, duke mposhtur spanjollen Ariana Toro Soler me Ippon në më pak se 10 sekonda.
Ky triumf i sjell Distria Krasniqit medaljen e saj të nëntë në Grand Slamin e Parisit, një tjetër sukses i madh që forcon pozitën e saj në elitën botërore të xhudos dhe promovon Kosovën në skenën ndërkombëtare sportive.
Lini një Përgjigje