
Kanë kaluar 12 vjet nga aksidenti i rëndë me ski që i ndryshoi jetën Majkëll Shumakerit, por së fundmi kanë dalë informacione të reja lidhur me gjendjen e tij shëndetësore. Sipas raportimeve të “Daily Mail“, duke cituar burime pranë familjes së ish-pilotit gjerman, Shumaker nuk është më i shtrirë në shtrat, por lëviz me karrocë.
Burimet bëjnë me dije se shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 ndodhet mes rezidencës së tij në Majorka dhe asaj në Gland, në brigjet e Liqenit të Gjenevës. Ky zhvillim konsiderohet i rëndësishëm, duke pasur parasysh diskrecionin e madh që familja ka ruajtur ndër vite për gjendjen e tij shëndetësore.
Majkëll Shumaker vijon të kujdeset në mënyrë të vazhdueshme nga bashkëshortja e tij, Korinna, si edhe nga një ekip mjekësh, infermierësh dhe terapistësh që e monitorojnë 24 orë në ditë. Privatësia e ish-kampionit ka qenë gjithmonë prioritet absolut për familjen.
Që nga dëmtimi i rëndë në tru, pas përplasjes me shkëmbinjtë pranë vendpushimit të skive në Méribel të Alpeve Franceze, Shumaker është mbajtur larg syrit të publikut. Gjatë viteve, kanë qarkulluar herë pas here thashetheme dhe pretendime të pabazuara, përfshirë edhe raportime të rreme për pjesëmarrjen e tij në dasmën e vajzës Gina në vitin 2024.
Po ashtu, janë përhapur spekulime se ai vuante nga gjendje të rënda neurologjike si pseudokoma apo sindroma e “locked-in”, ku pacienti është i vetëdijshëm, por i paaftë të komunikojë. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, këto pretendime nuk janë të sakta.
“Përshtypja është se ai kupton disa gjëra që ndodhin rreth tij, por jo gjithçka,” citohet të ketë thënë një burim pranë familjes, pa dhënë më shumë detaje.
Familja Shumaker vazhdon të kërkojë respektimin e privatësisë, ndërsa informacionet zyrtare për gjendjen e tij mbeten të kufizuara.
Lini një Përgjigje