Elseid Hysaj do të zbresë sot në fushën e stadiumit “Air Albania” për ndeshjen miqësore ndaj Luksemburgut, duke mbajtur sërish shiritin e kapitenit të Kombëtares shqiptare. Edhe pse Berat Gjimshiti do të jetë në formacionin titullar, kapiteni i ditës do të jetë Hysaj për shkak të rëndësisë së veçantë historike që mbart kjo përballje.
Mbrojtësi kuqezi do të regjistrojë sot paraqitjen e tij të 100-të me fanelën e Shqipërisë, duke u bërë futbollisti i parë në historinë e Kombëtares që arrin këtë shifër.
Ky moment e vendos Hysajn mes një grupi të përzgjedhur futbollistësh në arenën ndërkombëtare. Sipas të dhënave të FIFA-s, ai bëhet lojtari i 677-të në botë që arrin pragun e 100 ndeshjeve me ekipin kombëtar.
Njëkohësisht, Shqipëria hyn në listën e 121 vendeve që kanë të paktën një futbollist me 100 paraqitje në përfaqësuesen e tyre, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar.
Ndeshja ndaj Luksemburgut pritet të ketë një simbolikë të veçantë për Hysajn, i cili prej vitesh ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të Kombëtares, duke kontribuar në disa prej sukseseve më të mëdha të saj në arenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje