Interi është shumë pranë kurorëzimit si kampion i Italisë për herë të 21-të në histori. Me katër javë të mbetura nga përfundimi i sezonit në Serinë A, skuadra zikaltër kryeson renditjen me një epërsi të konsiderueshme prej 10 pikësh ndaj Napolit dhe 12 pikësh ndaj Milanit, duke e bërë çështje kohe sigurimin matematik të titullit.
Skenarët e mundshëm për shpalljen kampion
Java e 35-të mund të rezultojë vendimtare. Napoli do të përballet me Komon të shtunën në orën 18:00, ndërsa Milani luan të dielën në transfertë ndaj Sasuolos në orën 15:00. Interi zbret në fushë të dielën në mbrëmje, në “San Siro”, kundër Parmës (20:45).
Pas barazimit 2-2 në Torino, skuadrës së drejtuar nga Kristian Kivu i nevojiten tre pikë për të siguruar matematikisht titullin. Një fitore ndaj Parmës do të mbyllte çdo llogari, pavarësisht rezultateve të rivalëve. Ndërkohë, Interi mund të shpallet kampion edhe me një barazim, nëse Napoli nuk fiton në ndeshjen e tij.
Ekziston edhe një skenar ku titulli mund të sigurohet para se Interi të luajë: nëse Napoli humbet ndaj Komos dhe Milani nuk fiton ndaj Sasuolos, zikaltërit do të shpallen kampionë pa zbritur në fushë.
Synimi: festa në “San Siro”
Megjithatë, në kampin zikaltër shpresohet që titulli të vuloset në fushë, përpara tifozëve. Interi nuk e ka siguruar matematikisht kampionatin me një fitore në shtëpi që prej sezonit 1988-1989, kur drejtohej nga Xhovani Trapatoni.
Sfida ndaj Parmës shihet si momenti ideal për të kurorëzuar sezonin, ndërsa tifozët kanë nisur përgatitjet për festën. Parakalimi zyrtar me autobusin e skuadrës pritet të zhvillohet pas ndeshjes së fundit në “San Siro”, kundër Veronës më 17 maj.
Bonuse dhe planet për të ardhmen
Sipas raportimeve të mediave italiane, pronësia Oaktree ka parashikuar një bonus prej rreth 6 milionë eurosh për skuadrën dhe stafin në rast fitimi të titullit, çka tregon rëndësinë e këtij objektivi.
Paralelisht, drejtuesit e klubit kanë nisur planifikimin për merkaton e verës. Në fokus mbeten disa emra si Manu Kone, Musa Diabi dhe Kërtis Xhons, megjithëse për këta lojtarë nuk ka ende konfirmime zyrtare për negociata konkrete.
Lini një Përgjigje