
Hegjemonia e Megi Doçit si sulmuesja më e mirë e kampionatit shqiptar ka marrë fund këtë sezon, teksa ajo është mundur nga Valentina Troka e Apolonisë. Sulmuesja e skuadrës fierake e mbylli sezonin me 65 gola, ndërsa Doçi me 61 gola, me rokadën e cila ndodhi në javën e fundit.
Në fjalën e saj pas përfundimit të ndeshjes, ajo nuk e kurseu komentin ndaj Presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima, duke thënë se sa kohë të jetë ai, futbolli shqiptar nuk do të ecë përpara.
“Është emocion kur merr çmime të tilla, por të them të drejtën për momentin nuk e di nëse jam apo jo golashënuesja më e mirë e kampionatit, sepse lojtarja tjetër ka qenë aty pranë. Unë di të them se Megi Doçi e ka treguar veten si te Vllaznia, si në ekipin kombëtar, e po ashtu edhe në Champions League.
Prandaj nuk më intereson shumë se çfarë bëhet jashtë futbollit. Do të thosha se nëse ka diçka të keqe futbolli shqiptar sot, ai është Koço Kokëdhima. Sa të jetë ai, futbolli në vendin tonë nuk ka për të ecur përpara”, ishin fjalët e Doçit para gazetarëve.
Lini një Përgjigje