
Viti 2024 po afron dhe bashkë me të edhe zgjidhja e një prej mistereve më të mëdha në vitet e fundit të merkatos.
Cila do të jetë e ardhmja e Kilian Mbape? Kontrata e yllit të PSG-së me francezët skadon më 30 qershor dhe gjithçka sugjeron se ndryshe nga sa ndodhi në dy vitet e fundit, Kampioni i Botës në vitin 2018 nuk do të ushtrojë opsionin për ta rinovuar me një tjetër vit.
Në të vërtetë, sulmuesi tashmë ka bërë të ditur se i duhet më shumë kohë për të “reflektuar”.
Megjithatë, fakti që vera e ardhshme do të jetë plot angazhime, që nga “EURO 2024” e deri te thirrja e mundshme (dhe e shpresuar nga lojtari) për Lojërat Olimpike të Parisit, kërkon që Kilian të vendosë në kohë, pasi klubi që do ta ketë në ekip sezonin e ardhshëm duhet t’i japë atij një pushim mjaft të gjatë…
Po, por cili klub do të jetë? Lajmi është se as PSG dhe as Reali i Madridit nuk kanë ndërmend të ndërmarrin hapa zyrtarë. Në Francë presin që lojtari të qendrojë, drejtuesit e Parisit nuk kanë ndërmend të bëjnë oferta më të larta. Në Spanja, megjithatë, strategjia është e qartë.
Siç raporton “AS”, Reali i Madridit nuk ka ndërmend të bëjë lëvizje zyrtare deri më 1 janar, për sa kohë që Mbape do të rezistojë deri atë ditë pa e rinovuar kontratën me PSG-në.
Nga ajo ditë rregullorja do t’i vijë në ndihmë “Los Blancos” dhe plani i Perez është përcaktuar.
T’i bëjë të vetmen ofertë Fajza Lamarit, nënës dhe menaxheres së lojtarit, e cila megjithatë do të ketë vetëm 15 ditë kohë për t’iu përgjigjur propozimit që do të vijë nga Spanja.
Florentino Perez nuk duket i gatshëm të bëjë përjashtime të mëtejshme, pasi është “djegur” në dy merkatot verore të fundit për shkak të ndryshimit të mendjes nga Mbape, i cili nënshkroi rinovimin me PSG-në, duke prishur marrëveshjen verbale të arritur me “Los Blancos” në vitit 2022.
Nëse Kilian ende heziton, Madridi do tërhiqet përfundimisht, dhe Perez do të heqë dorë nga ëndrra e tij, e ushqyer që nga viti 2017, kur Mbape ishte një sulmues i talentuar dhe shumë i ri te Monako.
Në atë pikë, plani B do të hynte në lojë, me “Los Blancos” që do të hidheshin në sulm për Erling Haland.
Qendërsulmuesi norvegjez i Mançester Sitit do të bashkohej me mikun e tij Xhud Belingam, ish-shokun e skuadrës te Borusia e Dortmundit, në “Santiago Bernabeu”, por në këtë rast do të duhej të fillonte një negociatë me “Qytetarët”, që nuk do të ishte aspak e lehtë.
Lini një Përgjigje