Sport 6 Dhjetor 2023, 17:35

Si është gjendja e Majkëll Shumaker? Pyetja që Zhan Tod nuk guxon t’i përgjigjet më për 7 herë kampionin e Botës në F1

Shkruar nga Pamfleti

Si është gjendja e Majkëll Shumaker? Pyetja që Zhan Tod nuk

28 dhjetori do të shënojë 10-vjet nga aksidenti dramatik i skive, që pësoi Majkëll Shumaker në alpet franceze. Në shoqërinë e djalit të tij Mik, ai po përpiqej të ndihmonte një viktimë të aksidentit dhe doli nga pista duke u përplasur me kokë mbi një shkëmb.

Tre ditë më vonë ai iu nënshtrua një operacioni në spitalin e Grenoble për të lehtësuar endemën e thellë cerebrale dhe u mbajt në koma deri më 16 qershor 2014, kur familja e tij njoftoi se ai ishte zgjuar dhe u transferua në spitalin e Lozanës, pranë shtëpisë së tij.

Do të kalonin edhe tre muaj derisa më 10 shtator, piloti gjerman të transferohej në shtëpinë e tij në Gland të Zvicrës.

"Në javët dhe muajt e fundit ai ka bërë përparim në lidhje me ashpërsinë e dëmtimit të tij, por ka një rrugë të gjatë dhe të vështirë përpara,"- tha përfaqësuesja e tij, Sabina Kehm në një deklaratë. Ky është pothuajse informacioni i fundit për gjendjen e Shumakeri që ka dalë nga rrethi i tij.

Zhan Tod, një nga të paktët që e viziton

Në këto më shumë se nëntë vjet heshtje, pak njerëz e kanë vizituar shtatë herë kampionin e botës në Formula 1 në shtëpinë e tij, por një nga ata që e ka vizituar më shumë, është ish-shefi i tij gjatë epokës së Ferrarit, Zhan Tod, i cili më vonë u bë president i FIA midis viteve 2009 dhe 2021.

Në një intervistë në ‘La Stampa’, 77-vjeçari francez nuk është në gjendje të përgjigjet për gjendjen e tij shëndetësore.

"Majkëll është një mik, unë e konsideroj atë pjesë të familjes sime. Shkoj ta takoj rregullisht dhe në të kaluarën kemi ndjekur Çmimin e Madh të F1 në televizion,"- kujton ai.

Pyetjes se si është?, Tod nuk është në gjendje t’i përgjigjet.

"Është një çështje private. E vetmja gjë që do të them është se unë e adhuroj Majkëllin, e adhuroj familjen e tij dhe është e drejtë të respektohet privatësia e tyre. Marrëdhënia me të, në fillim ishte vetëm profesionale, pastaj gjithnjë e më shumë besimtare, derisa u bë një miqësi e madhe”, thotë Tod në intervistën e thënë.

"Është përmirësuar"

Vetëm katër vjet më parë, Tod tha diçka tjetër për gjendjen e Shumakerit.

"Unë jam gjithmonë i kujdesshëm me këto lloj deklaratash, por është e vërtetë që është përmirësuar. Unë i shikoj garat me Majkëllin Shumakerin në shtëpinë e tij në Zvicër. Familja e tij po mundohet shumë.

Është e qartë se miqësia jonë nuk mund të jetë ajo që ka qenë dikur, thjesht sepse nuk ka të njëjtin komunikim si më parë. Por ai vazhdon të luftojë, po ashtu edhe familja e tij”,- tha ai më pas për gjermanin, me disa detaje për pasojat e tij të mundshme.

Dokumentar i ri...

Nga ana tjetër, duke përkuar me 10-vjetorin e aksidentit të tij, rrjeti gjerman “ARD” ka njoftuar se do të transmetojë premierë serialin e ri dokumentar: “Being Michael Schumacher”. Do të ketë pesë kapituj, në të cilët regjisori Andreas Troll gjurmon jetën e pilotit legjendar.

Një nga ata që foli kohët e fundit, në njoftimin e serialit, ishte avokati i Shumakerit, Feliks Dam, i cili deklaroi se mundësia e publikimit të "një raporti përfundimtar mbi shëndetin e Majkëllit ishte duke u shqyrtuar. Unë e kuptoj që fansat e Shumakerit duan të dinë më shumë rreth tij, por besoj edhe se mbrojtja e tij personale është e nevojshme”, përfundoi ai.

majkëll shumaker zhan tod ish-kampioni i botës në formula 1